Gruaja që qëndroi tre vjet e vdekur në banesën e saj pa e vënë re askush

Gruaja që qëndroi tre vjet e vdekur në banesën e saj pa e vënë re askush

Për miqtë e saj, ajo ishte një vajzë me “botën në këmbët” e saj. Ajo kishte një punë të përhershme në një korporatë shumëkombëshe dhe ata që donin ta njihnin më mirë “qëndruan në radhë”.

Pavarësisht një rrethi të gjerë miqsh dhe të njohurish, Joyce Vincent u gjet e vdekur në moshën 38-vjeçare në rrethana të pabesueshme: më 25 janar 2006, policia hyri në shtëpinë e saj në Wood Green, në veri të Londrës dhe gjeti mbetjet e saj “kryesisht skeletore” në një divan. Trupi i Joyce ishte i rrethuar me dhurata të mbështjella për Krishtlindje dhe televizori ishte ende ndezur, shkruan The Sun.

Ishte e qartë se ajo kishte vdekur prej disa kohësh, duke gjykuar nga dekompozimi i eshtrave të saj, por askush nuk mund ta merrte me mend saktësisht se sa kohë kishte qëndruar ashtu.

E dhëna e parë që mund ta tregonte ishte ushqimi në frigoriferin e saj që skadoi në 2003. Pas një hetimi, doli se Joyce ndoshta kishte pësuar një atak ndërsa shikonte TV në dhjetor të atij viti.

Rrethanat tronditëse të vdekjes së saj e tmerruan opinion britanik ndërsa shumë pyetje filluan të bëheshin mbi këtë rast të pazakontë.

Si ndodhi që një e re shumë e shoqërueshme dhe aktive, e cila dikur ishte kaq e njohur, mund të qëndronte e vdekur në banesën e saj për tre vjet para se ta vinte re dikush?

Historia familjare

Joyce Carol Vincent lindi në vitin 1965 në pjesën perëndimore të Londrës. Ajo ishte më e vogla nga pesë fëmijët. Babai i saj ishte afrikan dhe nëna e saj indiane. Nënën e humbi herët dhe ishin motrat e saj më të mëdha që u kujdën për të, ndërsa me të atin nuk ishte marrë vesh kurrë. Ajo la shkollën në moshën 15-vjeçare.

Në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ajo u rrethua me një grup miqsh nga industria e muzikës dhe i kalonte mbrëmjet duke ndenjur në klube nate. Nëpërmjet lidhjeve të saj, Joyce darkoi me megayje si Stevie Wonder dhe jetoi me menaxherin e turneut të këngëtares Betty Wright. Në të njëjtën kohë, Joyce kishte një “aurë” misteri të përforcuar nga fakti se ajo ishte shumë e fshehtë për të kaluarën e saj. Ata që e njihnin thonë se ajo ishte një bukuroshe ekzotike, “madje më e bukur se Whitney Houston”. Ata shtojnë se përveç shtatit ajo kishte edhe një zë të bukur. Të gjithë ishin gjithashtu dakord se ajo ishte e zgjuar dhe pozitive, gjë që e bën të gjithën edhe më misterioze.

Kur ishte 25 vjeçe, Joyce mori pjesë në koncertin “Nelson Mandelas, nderim ndërkombëtar për një Afrikë të Jugut të lirë” në Wembley. Përmes një djaloshi, promotor koncerti, ajo arriti të ngjitej pas skenës dhe të takonte luftëtarin e famshëm të lirisë, e rrethuar nga një sërë njerëzish të tjerë me ndikim.

Ajo ishte e punësuar në një korporatë shumëkombëshe deri në vitin 2001, kur gjithçka në jetën e saj mori një kthesë të gabuar. Ajo la punën e saj dhe filloi të tërhiqej nga miqtë dhe familja.

Në atë kohë, Joyce hyri në një marrëdhënie të dhunshme dhe si viktimë e dhunës në familje mori strehim social për njerëzit në nevojë. Pas gjetjes së trupit, policia ka tentuar të gjejë të dashurin e saj të dhunshëm, por pa rezultat.

Të njohurit e Joyce thanë se kontaktet me të bëheshin gjithnjë e më pak të shpeshta dhe se ajo thjesht nuk u përgjigjej telefonatave të tyre. Dyshohet se para se të vinte në këtë banesë për viktimat e dhunës, ajo shpesh lëvizte dhe nuk i tregonte askujt se ku ndodhej. Kështu ka qenë edhe me familjarët me të cilët edhe ajo humbi kontaktet.

Patologët nuk e kanë përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe supozohet se ajo ka vdekur nga një atak astme ose nga ulçera në stomak. Fqinjët ndjenin një erë të pakëndshme prej tre vitesh, por ia atribuonin kazanëve të plehrave që ndodheshin pranë ndërtesës.

Apartamenti i saj ishte në pronësi të Metropolitan Housing Trust dhe përdorej për të strehuar njerëz që kishin përjetuar abuzim në familje.

Shenjat e para se Joyce nuk ishte mirë erdhën një muaj para vdekjes së saj, kur ajo u shtrua në spital pasi volli gjak. Ajo u diagnostikua me ulçerë peptike dhe u lirua në shtëpi dy ditë më vonë.

Asgjë nuk u dëgjua më nga Joyce deri më 25 janar 2006, kur punëtorët e Metropolitan Housing Trust thyen derën.

Ata, të cilët erdhën për të parë se çfarë ndodhte me faturat e grumbulluara të papaguara, u pritën pas derës nga një grumbull poste të hedhura, duke përfshirë zarfe me pulla të vitit 2003.

Joyce u gjet e shtrirë në shpinë në divan përpara televizorit me ngrohjen ende të ndezur. Një autopsi nuk ishte në gjendje të përcaktonte shkakun e qartë të vdekjes sepse mbetjet ishin “kryesisht skeletore”.

Joyce duhej të identifikohej duke krahasuar të dhënat e saj dentare me një foto të saj duke buzëqeshur gjatë pushimeve.

Joyce ka lënë pas shumë pyetje, shumë prej të cilave ka të ngjarë të mbeten pa përgjigje. Vdekja e saj është një nga ato që të bën të mendosh mbi veten se nëse do të mungoje për një kohë, duke jetuar vetëm, a do interesohej kush për ty.

Kështu pyeti veten regjisorja Carol Morley, e cila realizoi filmin dokumentar “Dreams of a Life” për jetën e Joyce. Ishte mënyra e saj e trajtimit të këtij rasti për të gjithë njerëzve të vetmuar në një nga qytetet më të populluara në botë. /tesheshi.com/

MARKETING