Granit Xhaka shënon gol spektakolar në fitoren e thellë të Bayer Leverkusenit dhe njofton se do të bëhet sërish baba
Bayer Leverkusen ka shënuar fitore të thellë me rezultat 5-2 në shtëpi ndaj Heidenheimit në kuadër të javës së 11-të në elitën e futbollit gjerman.
Ndonëse ishin mysafirët ata që në fakt kishin epërsinë prej dy golave, ‘Aspirinat’ nuk u dorëzuan deri në fund dhe rikthyen rezultatin në favorin e tyre.
Fillimisht Xhaka ishte pjesëmarrës tek goli i parë i Leverkusenit duke asistuar për Exequiel Palacios i cili shënoi për të ngushtuar rezultatin në 2-1.
Më pas Xhaka kaloi në rolin e golashënuesit kur në minutën e 82-të shënoi një gol spektakolar për rezultatin përfundimtar të takimit 5-2.
E më e veçantë se vet goli ishte festimi që bëri ylli shqiptar duke sinjalizuar se do të bëhet sërish baba.
Ky ishte vetëm goli i dytë i Xhakës në këtë edicion të garave në Bundesliga teksa ka edhe katër asistime.