Gostivarit i hiqen nëntë pikë, pronari Usta suspendohet dy vjet!

Gostivarit i hiqen nëntë pikë, pronari Usta suspendohet dy vjet!

Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka marrë masa të rrepta disiplinore ndaj KF Gostivarit, pas zhvillimeve në ndeshjen e javës së 29-të të kampionatit kundër Rabotniçkit.

KF Gostivari është ndëshkuar me:

  • Humbje e 9 pikëve nga sezoni aktual;

  • Gjobë prej 7.500 eurosh për organizim të dobët të ndeshjes dhe prezencë të personave të paautorizuar në fushë;

  • Ndalesë për të luajtur 10 ndeshje si vendas në stadiumin e tyre, ku këto ndeshje do të zhvillohen të paktën 100 kilometra larg nga fusha e deklaruar.

Masat nuk kanë përfunduar vetëm me klubin. Edhe drejtuesit dhe futbollistët janë goditur me ndëshkime të ashpra:

  • Presidenti Enes Usta dhe trajneri Blazho Panov janë pezulluar për 2 vite nga çdo aktivitet në futboll, për shkak të udhëzimit që i dhanë lojtarëve për të braktisur ndeshjen.

  • Futbollisti Alper Potuk është suspenduar për 2 vite, pasi ishte një nga nxitësit për ndërprerjen e ndeshjes.

  • Të gjithë lojtarët e KF Gostivarit të përfshirë në protokoll janë gjobitur me nga 500 euro secili.

Ndëshkime ka edhe për klubet tjera:

  • KF Struga është gjobitur me 5.000 euro për organizim të dobët të ndeshjes kundër Gostivarit.

  • Ndërkohë, ndaj Voska Sport është hapur procedurë disiplinore për mos paraqitje në ndeshjen kundër AP Brera.

Me vetëm katër javë të mbetura deri në përfundim të kampionatit, e ardhmja e KF Gostivarit në këtë sezon mbetet e pasigurt. Ende nuk dihet nëse klubi do të vazhdojë pjesëmarrjen pas këtyre ndëshkimeve, apo do të ndjekë shembullin e Voska Sport, që u tërhoq nga gara javën e kaluar.

MARKETING