Goli i Muçit s’mjafton, Feneri fiton derbin ndaj Trabzonit
Goli i hershëm i shënuar nga Ernest Muçi nuk ka qenë i mjaftueshëm për Trabzonspor, që sonte mbrëma u mposht në derbin e zjarrtë ndaj Fenerbahçe.
Në kuadër të javës së 22-të të elitës së futbollit turk, Fenerbahçe triumfoi në udhëtim me rezultat 3:2, duke përmbysur rezultatin pas një starti të vështirë.
Reprezentuesi i Shqipërisë, Muçi, kaloi Trabzonsporin në epërsi që në minutën e gjashtë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon. Megjithatë, mysafirët reaguan fuqishëm dhe realizuan tre gola për të marrë tre pikët e plota.
Për Fenerbahçen realizuan Anderson Talisca, Kerem Aktürkoğlu dhe Marco Asensio, ndërsa golin e dytë për Trabzonsporin e shënoi Paul Onuachu.
Sulmuesi anësor, Muçi, e kompletoi takimin dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë. 24-vjeçari këtë edicion ka regjistruar 13 gola dhe pesë asistime në të gjitha garat, duke dëshmuar vazhdimësinë e formës së tij të lartë.
Pas kësaj fitoreje, Fenerbahçe mbetet në vendin e dytë me 52 pikë, tre më pak se lideri Galatasaray. Ndërkohë, Trabzonspori renditet i treti me 45 pikë.

