Gjysmë milioni euro u gjetën në një bunker në një minibus në pikën kufitare Tabanoc
Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar rreth gjysmë milioni euro në Pikën e Kalimit Kufitar Tabanoc, në një rast që autoritetet e kanë cilësuar si sekuestrim historik.
Sipas drejtorit të Doganave, Boban Nikollovski, paratë janë zbuluar gjatë një kontrolli me skaner, i cili ka identifikuar modifikime të dyshimta në një minibus.
Valuta e huaj, së bashku me automjetin, është konfiskuar, ndërsa si autor i dyshuar i veprës është një shtetas i Shqipërisë. Sipas autoriteteve, minibusi i përkiste një agjencie turistike nga Shqipëria dhe në të udhëtonin shtatë pasagjerë në momentin e kontrollit.
Rasti është trajtuar nga Gjykata Themelore në Kumanovë, e cila ka marrë vendim lidhur me procedurat e mëtejshme.

