Gjykata Speciale: Sot përfundon afati për njoftimin e apelimit nga mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së
Data 27 nëntor shënon afatin e fundit që mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të njoftojë apelimin e vendimit dënues të shkallës së parë të 16 shtatorit në Gjykatën Speciale me seli në Hagë, raporton Anadolu.
Ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së kanë bërë të ditur tashmë se do të kundërshtojnë dënimet, pasi i kanë vlerësuar ato si të padrejta. Procesi i apelit nuk dihet saktë se për sa kohë do të përfundojë, por, kryeministri Albin Kurti ka thënë publikisht se ai pritet të përfundojë në vitin 2027.
Fillimisht, afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ishte caktuar më 16 tetor, por ekipet e mbrojtjes kërkuan më shumë kohë, duke argumentuar se aktgjykimi është i gjatë dhe kompleks, se përballeshin edhe me afate të tjera procedurale dhe se aktgjykimi nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe.
Pas këtij hapi procedural, palët kanë 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, ku argumentet për kundërshtimin e aktgjykimit duhet të elaborohen më në detaje. Pas gjithë këtyre afateve, Gjykata e Apelit e cakton datën e një seance “nëse është e nevojshme”, thuhet në rregullore.
Rregullorja parasheh që palët mund të dorëzojnë prova shtesë gjatë procedurës së apelimit dhe nëse ato pranohen, por edhe pala tjetër mund të paraqesë kundërprova. Gjykata e Apelit mund të lërë në fuqi, të zhbëjë ose të ndryshojë aktgjykimin e trupit gjykues apo të mbahet rigjykim.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë tri arsye për të cilat mund të dorëzohen apele për vendime të shkallës së parë: ndonjë gabim rreth ndonjë çështje juridike që e shfuqizon aktgjykimin, ndonjë gabimi faktik i cili ka shkaktuar dështimin e drejtësisë ose ndonjë gabimi për sa i përket dhënies së dënimit.
Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e Apelit, çështja mund të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe më pas në atë Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë. Më 16 shtator 2026, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me 25 vjet burgim secili, Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13. Të katërtit u gjetën fajtorë për katër akuzat për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

