Gjykata ia mori pasaportën kryetares së KSHPK-së, i janë caktuar edhe masa të tjera sigurie

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shqiptuar masë sigurie ndaj kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska, e cila është e dyshuar në rastin “Aditiv”.
Siç informojnë nga Gjykata, Dimitrovskës me propozim të Prokurorisë Publike NKOK i është konfiskuar pasaporta, si dhe i është ndaluar kryerja e disa aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale.
“Lidhur me të dyshuarën T.D., e cila sot në orët e vona të pasdites është sjellë para gjyqtarit për procedurë paraprake lidhur me vazhdimin e aksionit të njohur në publik si “Aditiv”, pas deklaratës së saj lidhur me propozimin e Prokurorisë Publike për caktimin e masave të sigurimit, është marrë vendim me të cilin pranohet propozimi i Prokurorisë Publike për NKOK dhe shqiptohen masat për kujdes sipas pikës 3 dhe pikës 7 gjegjësisht, sekuestrimi i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi i dhënies së një të reje dhe ndalimi i kryerjes së disa aktiviteteve të punës lidhur me veprën penale”, thuhet në deklaratën e Gjykatës.
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPO NKOK) ka bërë të ditur pasditen e sotme se në kuadër të rastit “Aditiv”, në bazë të provave të mbledhura, është lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve edhe për tre persona të tjerë.
Mediat raportojnë se kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit dyshohet për veprën penale të zbulimit të sekretit zyrtar, ndërsa informacioni dyshohet se është marrë nga ekspertiza e telefonave të disa prej të pandehurve në rastin “Aditiv”.
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë (PNKOK) për nesër njofton më shumë detaje në lidhje me zgjerimin e lëndës “Aditiv” me Dimitrovskën dhe dy të dyshuar të tjerë.
Rasti “Aditiv” ka të bëjë me një krim në kompaninë shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), me vlerë 6.5 milionë euro.
Janë akuzuar gjithsej 31 persona, mes tyre edhe ish-drejtori i EMV-së, Vasko Stefanov, si dhe paraardhësi i tij në detyrë, Vasko Kovaçevski, i cili ndodhet jashtë vendit dhe për të cilin është lëshuar fletarrest ndërkombëtar. I akuzuar është edhe ish-drejtori i Termocentralit të Negotinës, Nebojsha Stojanoviq.