Gjykata cakton paraburgim për Illço Gjorgjievskin dhe dy të tjerë në rastin e FFM-së
Gjykata penale pasditen e sotme pas marrjes në pyetje të të dyshuarit për përvetësim në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM), vendosi t’u caktojë tre personave masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa pesë personave iu caktua arrest shtëpiak. Ish kryetari i FFM-së, Illço Gjorgjievski dhe dy persona të tjerë me inicialet O.M. dhe G.C. po mbahen në paraburgim 30-të ditor.
Arrest shtëpiak është caktuar për N.L., I.P., I.Sh., S.T. dhe K.A., ndërsa masa paraprake për T.P., J.D., D.J. dhe E.N.
Nga Gjykata penale informojnë se gjykata duhet të prononcohet për masat që duhet të merren për pesë personat që janë në arrati, përkatësisht caktimin e paraburgimit për dy persona dhe masa paraprake për tre persona.
Në aksionin e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion përfshihen 18 persona, ku 12 prej tyre janë arrestuar. Nga 12 të ndaluarit, Prokuroria kërkoi paraburgim për tetë persona dhe masa paraprake për katër persona. Ata dyshohen se kanë përvetësuar më shumë se 180 milionë denarë nga FFM-ja.
Si rezultat i një procedure shumëvjeçare parahetimore për FFM-në, dje nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në koordinim me Drejtorinë e policisë financiare dhe Ministrinë e Brendshme janë kryer bastisje në shtëpi, lokale afariste dhe individë në disa lokacione në Shkup, gjatë të cilave 12 persona u privuan nga liria, përfshirë ish kryetarin e FFM-së, Illço Gjorgjievski dhe pesë persona për momentin nuk janë të kapshëm për organet e ligjit. Muamed Sejdini u arrestua në prill të këtij viti dhe iu caktua paraburgim me dyshimin për kryerjen e veprës penale; shpërdorim të fondeve që lidhet me ndërtimin e një tribune në stadiumin “Biljanini izvori” në Ohër.
Aksioni është rezultat i kallëzimit penal iniciuar më parë kundër tre punonjësve të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), menaxherëve, pronarëve dhe personave të autorizuar të personave juridikë, si dhe kundër vetë personave juridikë, nën dyshimin për kryerjen e veprave të shumta penale dhe përvetësimin e 2.4 milionë eurove.

