Gjiganti i mbrojtjes Aselsan nënshkruan marrëveshje 905 milionë dollarëshe për forcimin e mbrojtjes ajrore të Turqisë
Kompania turke e mbrojtjes Aselsan ka nënshkruar një kontratë me vlerë 780 milionë euro me Sekretariatin e Industrive të Mbrojtjes së Turqisë (SSB) për prokurimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, transmeton Anadolu.
Aselsan njoftoi se marrëveshja përfshin sisteme të destinuara për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të vendit.
Kontrata pritet të kontribuojë në projektin “Kupola e Çeliktë” (Steel Dome) të Turqisë, një arkitekturë shumë-shtresore e mbrojtjes ajrore e zhvilluar nën koordinimin e SSB-së si një projekt vendas i tipit “sistem i sistemeve”, që përfshin të gjithë komponentët e mbrojtjes ajrore.
“Kupola e Çeliktë” është projektuar për të neutralizuar kërcënimet ajrore në të gjitha lartësitë dhe distancat.
Sistemi përfshin disa shtresa, duke filluar nga elemente me kosto të ulët për mbrojtje në lartësi të ulëta kundër tufave të dronëve dhe mjeteve ajrore pa pilot kamikaze, deri te sistemet si Korkut dhe Gurz, si dhe radarë që operojnë në lartësi të ndryshme.
Sistemet Hisar formojnë shtresën e mesme të arkitekturës, ndërsa Siper pozicionohet në shtresën e sipërme.
Aselsan tha se “Kupola e Çeliktë” bashkon disa sisteme armësh të mbrojtjes ajrore, radarë, zgjidhje elektro-optike, module komunikimi, qendra komanduese dhe kontrolli, si dhe kapacitete të inteligjencës artificiale.
Kompania po zhvillon gjithashtu systemin Hakim, një zgjidhje e nivelit të lartë për komandim dhe kontroll, e projektuar për të koordinuar sistemet brenda “Kupolës së Çeliktë”, së bashku me sistemet e sensorëve dhe zgjidhjet e komunikimit.
Aselsan theksoi se kapaciteti i mbrojtjes ajrore i Turqisë po ndërtohet mbi bazën e njohurive teknologjike që kompania ka grumbulluar gjatë më shumë se gjysmë shekulli.
Kompania shtoi se “Kupola e Çeliktë”, që vazhdon të fitojë aftësi të reja, po forcohet vazhdimisht me komponentë të rinj.
– Siper 2 përfundon me sukses testin e qitjes
Ndërkohë, versioni i ri i sistemit Siper 2 me rreze të gjatë të mbrojtjes ajrore përfundoi me sukses testin e tij më të fundit të qitjes.
“Sistemi rajonal i mbrojtjes ajrore dhe raketore me rreze të gjatë Siper 2, i bazuar në arkitekturë të shpërndarë dhe që luan një rol kritik në nivel strategjik, shkatërroi me sukses një objektiv manovrues”, shkroi sekretari i Industrive të Mbrojtjes së Turqisë, Haluk Gorgun, në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
“Sistemi Siper 2 do të marrë përsipër detyra në distanca më të gjata dhe në lartësi më të mëdha krahasuar me Siper 1, duke luajtur një rol efektiv në mbrojtjen ajrore dhe raketore”, shtoi Gorgun.

