Gjermania: Misioni për pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit varet nga pëlqimi i SHBA-së dhe Iranit
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, ka deklaruar se Gjermania është e gatshme të kontribuojë në operacione të mundshme për pastrimin e minave në Ngushticën e Hormuzit, por çdo dislokim i tillë duhet të miratohet si nga SHBA-ja ashtu edhe nga Irani, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin gjerman n-tv, Wadephul tha se anija gjermane për pastrimin e minave Fulda dhe anija furnizuese Mosel janë vendosur tashmë paraprakisht në Mesdheun Lindor. Sipas tij, të dyja anijet janë të gatshme të lëvizin drejt rajonit të Ngushticës së Hormuzit nëse plotësohen kushte të caktuara.
“Duhet të dimë se një mision i tillë dëshirohet, edhe atë nga të dyja palët. Në fund të fundit, ne nuk mund të hyjmë thjesht në zonë nëse njëra pale, konkretisht pala iraniane, nuk është dakord dhe përfundon duke qëlluar mbi ne. Kjo sigurisht që nuk do të ishte një situatë ideale”, tha Wadephul.
Kryediplomati gjerman tha se Berlini ende është në pritje të detajeve të marrëveshjes së shpallur mes SHBA-së dhe Iranit dhe se do të vlerësojë nëse ekziston një konsensus i gjerë për një operacion të pastrimit të minave. Ai shtoi se elemente të rëndësishme mbeten ende të paqarta.
Wadephul gjithashtu theksoi domosdoshmërinë e një kornize të rreptë ligjore para se të angazhohen forcat gjermane.
“Për një dislokim, do të na duhet një mandat ndërkombëtar për të siguruar që operacioni të bazohet në të drejtën ndërkombëtare”, tha ai, duke shtuar se për të ecur përpara do të nevojitej një rezolutë e OKB-së ose një vendim formal i BE-së.
“Dhe sigurisht, në fund, parlamenti gjerman do të duhej të japë miratimin e tij”, shtoi ai.

