Gjermania kontakton zyrtarisht Neuerin, duan ta rikthejnë në Kombëtare

Gjermania kontakton zyrtarisht Neuerin, duan ta rikthejnë në Kombëtare

Thashethemet për një rikthim të Manuel Neuer në ekipin kombëtar gjerman po marrin gjithnjë e më shumë hov.

Pas një viti nga tërheqja e tij nga Kombëtarja, drejtori sportiv i DFB-së, Rudi Voller, raportohet se ka kontaktuar portierin e Bayern Munich, duke i kërkuar të shqyrtojë mundësinë e një kthimi.

Sipas “Sport Bild”, një rikthim i 39-vjeçarit do të ishte i mundur vetëm nëse përmbushen dy kushte kryesore.

Së pari, Marc-Andre ter Stegen (33), aktualisht në radhët e Barcelones, duhet të mos arrijë të sigurojë një vend titullari të qëndrueshëm pas rikuperimit nga dëmtimi.

Së dyti, trajneri Julian Nagelsmann duhet të jetë i gatshëm të afrohet personalisht me Neuerin dhe ta bindë për një rikthim të bujshëm në kombëtare.

Brenda DFB-së ka tashmë zëra që kërkojnë që Nagelsmann ta shqyrtojë seriozisht këtë opsion, duke parë formën e lartë që portieri legjendar po shfaq ende me Bayern Munich.

Edhe pse Neuer e mbylli karrierën ndërkombëtare pas Euro 2024, performancat e tij të qëndrueshme kanë ringjallur debatin për rikthimin e tij mes tre shtyllave të Gjermanisë.

Aktualisht, Oliver Baumann (35) po e mban me sukses rolin e portierit të parë të kombëtares, gjë që e bën situatën edhe më delikate.

Megjithatë, një rikthim i Neuerit, sado i vështirë nuk mund të përjashtohet plotësisht, veçanërisht nëse forma e tij në Bundesligë mbetet e lartë dhe DFB kërkon përvojë shtesë për Botërorin e ardhshëm.

MARKETING