Gjermani, 23 për qind e popullsisë janë emigrantë ose fëmijë të emigrantëve

Gjermani, 23 për qind e popullsisë janë emigrantë ose fëmijë të emigrantëve

Rreth 18.9 milionë banorë ose 23 për qind e popullsisë së përgjithshme të Gjermanisë ose kanë emigruar në vend që nga viti 1950 ose janë fëmijë emigrantësh, bëri të ditur sot Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë, transmeton Anadolu.

Kjo është hera e parë që Zyra e Statistikave analizon popullsinë e vendit bazuar në shifrat e migracionit dhe jo vetëm mbi shtetësinë, që është një koncept më i paqartë pasi shumë emigrantë, veçanërisht fëmijët e emigrantëve, kanë marrë shtetësinë gjermane vitet e fundit.

Për sa i përket 17.3 për qind të emigrantëve të gjeneratës së parë, Gjermania renditet mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 10.6 për qind, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Përveç kësaj, 3.7 milionë të tjerë ose 4.5 për qind e popullsisë janë nga martesat e përziera që kanë një prind emigrant dhe një prind gjerman etnik.

Shifrat e paraqitura së fundmi janë nga viti 2021 dhe për këtë arsye nuk përfshijnë më shumë se 1 milion ukrainas që erdhën në Gjermani për të kërkuar strehim pasi Rusia pushtoi vendin e tyre një vit më parë.