Gërvalla: Lufta kundër korrupsionit kërkon përgjegjësi dhe zbatim të pakompromis të ligjit
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka theksuar rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit, në margjinat e Forumit Ministror Bashkimi Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, transmeton Anadolu.
Gërvalla nëpërmjet rrjeteve sociale bëri të ditur se në këto çështje të cilat u trajtuan në një panel të këtij ofrumi ministror i cili po mbahet në Budva, ka thënë se përballja me korrupsionin kërkon vullnet të palëkundur institucional, një sistem drejtësie të pavarur dhe profesional, zbatim të pakompromis të ligjit dhe bashkëpunim të qëndrueshëm ndërkombëtar.
Sipas Gërvallës, lufta kundër kësaj dukurie duhet të përfshijë verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, konfiskimin e përfitimeve të paligjshme dhe mbajtjen e zyrtarëve publikë përgjegjës për veprimet e tyre.
“Lufta kundër korrupsionit kërkon që pasuria e pajustifikueshme të verifikohet, përfitimet e paligjshme të konfiskohen, zyrtarët publikë të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe rrjetet kriminale të mos gjejnë strehë në kufijtë e shteteve. Asnjë pozitë publike, asnjë pasuri dhe asnjë lidhje politike nuk duhet të jetë mburojë përballë ligjit”, theksoi Gërvalla.
Ministrja Gërvalla ritheksoi se Kosova mbetet e vendosur të thellojë reformat në drejtësi, të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe të zgjerojë bashkëpunimin me partnerët evropianë, me synimin e konsolidimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit.

