Georgiev: Mucunski të bindë qeverinë e tij për ndryshimet kushtetuese

Georgiev: Mucunski të bindë qeverinë e tij për ndryshimet kushtetuese

Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, thotë se ka folur disa herë me homologun e tij nga RMV, Timço Mucunski, në lidhje me zbatimin e ndryshimeve kushtetuese që janë pjesë e Kornizës Negociuese të Maqedonisë me BE-në.

“Kam folur shumë herë me Timço Mucunskin. Ai e njeh shumë mirë dhe kategorikisht qëndrimin tonë. Por, që tani e tutje, roli i tij është të bindë qeverinë e tij që t’i përmbahet konsensusit të vitit 2022”, tha Georgiev në lidhje me fillimin e negociatave të Maqedonisë me BE-në.

“Nga ana jonë, ne kemi bërë një kërkesë shumë serioze. Në maj të këtij viti, me 209 vota, Kuvendi bullgar miratoi një vendim që e detyronte qeverinë të përmbahej vetëm konsensusit të vitit 2022 dhe asgjë tjetër. Por deri më tani, nuk kemi marrë një përgjigje pozitive nga Shkupi”, theksoi Georgiev, raportoi “BGNES”.

Georgiev tha se Maqedonia e Veriut me veprimet e saja na jep shumë mundësi për të dyshuar në sinqeritetin e tyre për procesin eurointegrues.

“Nuk mund të akuzohemi në asnjë mënyrë për qëllimet tona dhe për respektimin e rëndësisë së kësaj çështjeje. Por dështimi për të zbatuar konsensusin e vitit 2022, fakti që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe autoritetet atje refuzojnë kategorikisht të fillojnë me reformat, me ndryshimin e Kushtetutës, me përfshirjen e bullgarëve në të, në të gjitha pjesët e saj, tregon se edhe në një fazë shumë të hershme, përkatësisht fillimin fillestar të procesit të pranimit, ai minohet nga mosveprimi politik”, theksoi Georgiev.

MARKETING