Gazetari italian raporton rrahje nga forcat izraelite pas ndërhyrjes ndaj flotiljes së Gazës
Gazetari italian Alessandro Mantovani ka bërë të ditur se është rrahur dhe prangosur nga forcat izraelite pas ndërhyrjes ndaj Flotiljes Globale “Sumud” që ishte nisur drejt Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë ANSA, Mantovani dhe ligjvënësi i M5S-së, Dario Carotenuto, të cilët ndodheshin në flotilje, u kthyen në aeroportin e Romës me një fluturim komercial nga Athina.
“Më rrahën mua, Dario Carotenuto-n dhe të tjerët i rrahën edhe më rëndë se ne. Pashë njerëz me fraktura të dyshuara në krahë dhe brinjë”, tha Mantovani për Fatto Quotidiano.
Ai tha se operacioni i hipjes në anije ishte shumë më i dhunshëm se më parë dhe theksoi se ai dhe Carotenuto u prangosën në duar dhe këmbë pas mbajtjes në një qeli dhe para transferimit në aeroportin “Ben Gurion”.
“Më morën pantallonat, ku kisha portofolin dhe nuk m’i kthyen kurrë. Pastaj na rrahën. Pashë edhe gra që u goditën. Kjo ndodh sepse Izraeli mbrohet nga qeveritë e gjysmës së Evropës, përfshirë edhe tonën”, tha Mantovani.
Ai gjithashtu tha se forcat izraelite hapën zjarr dy herë gjatë ndërhyrjes “me disa lloj plumbash”.
Të martën, Flotilja Globale “Sumud” tha se të gjitha 50 anijet e saj ishin sekuestruar nga Izraeli.
Flotila, me 428 aktivistë nga 44 vende, ishte nisur të enjten nga rrethi turk Marmaris në një përpjekje për të thyer bllokadën e vendosur ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007.

