Gashi: Mësuesit, shtyllë e zhvillimit të shoqërisë në Ditën e 7 Marsit

Me rastin e festës së 7 Marsit – Dita e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shprehur nderimet dhe falënderimet e tij më të sinqerta për të gjithë mësimdhënësit. Gashi theksoi rolin e paçmueshëm të mësuesve në zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë, duke vlerësuar angazhimin e tyre të palodhur për edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
“Me rastin e festës së 7 Marsit – Dita e Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, më lejoni të shpreh nderimet e mia të sinqerta për të gjithë mësimdhënësit, të cilët me përkushtim dhe dashuri formësojnë brezat e ardhshëm. Angazhimi juaj fisnik është udhërrëfyes për sukseset tona dhe zhvillimin e shoqërisë. Arsimimi është veprimtari e shenjtë dhe armë e fuqishme për të ndryshuar botën, prandaj mësuesit kanë meritën më të madhe në çdo progres të shoqërisë.
Në emër të Kuvendit, dua t’iu uroj dhe t’iu siguroj se ky institucion do të mbetet gjithmonë i angazhuar për të mbështetur mësimdhënësit, në mënyrë që të sigurohen kushte më të mira për zhvillimin e arsimit. Çdo mësim që jepni është një investim për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Prandaj faleminderit dhe urime!”, ka shkruar Gashi.