Gashi – Camaj: Thellimi i bashkëpunimit parlamentar mes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot në Rigë, realizoi takim me nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
Në takim, siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve, duke përfshirë shkëmbimin e praktikave dhe vizitat në shërbim, si dhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Gashi dhe Camaj shkëmbyen mendime për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, duke e theksuar rolin e parlamenteve në procesin e harmonizimit të legjislacionit me atë evropian.
Në fund të takimit, Camaj shprehu gatishmërinë për të vizituar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në të ardhmen e afërt.