Futbollistët e Maqedonisë grumbullohen në Shkup për duelet ndaj Letonisë dhe Ishujt Faroe
Reprezentuesit e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll janë mbledhur mesditën e kësaj të hëne në Shkup për dy ndeshjet e muajit nëntor ndaj Letonisë dhe Ishujt Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve. Ftesës së seleksionuesit Bllagoja Milevski iu kanë përgjigjur të gjithë futbollistët e përfshirë në listën e tij. Për herë të parë në këtë grumbullim janë futbollistët Behar Feta si dhe portieri Marko Alçevski, përderisa është rikthyer në ekipin përfaqësues edhe Sefer Emini. Maqedonia seancën e parë stërvitore do ta ketë sonte në mbrëmje në “Petar Milloshevski” pranë FFM-së. Të përzgjedhurit e Milevskit duelin e parë e luajnë ndaj Letonisë me 14 nëntor në arenën “Todor Proeski”, teksa tre ditë më vonë presin Ishujt Faroe.