Fondacioni ALSAR promovoi kolanën e veprave të studiuesit dhe historianit Sherif Delvina
MARKETING
Në ambientet e Hotel “Tirana International” është zhvilluar këtë të premte, më 3 prill, ceremonia e promovimit të kolanës së veprave të studiuesit dhe historianit Sherif Delvina.
MARKETING
Në promovimin e serisë prej 12 vëllimesh, të saponxjerrë prej shtypi nga Botimet ALSAR, morën pjesë akademikë, intelektualë, funksionarë, personalitete, të afërm të studiuesit të ndjerë, studentë, qytetarë, etj.
Hapjen e ceremonisë e bëri kryetari i Fondacionit ALSAR, me një fjalë prekëse për ish-bashkëpunëtorin dhe mikun prej një kohe jo më në këtë jetë.
Z. Mehdi Gurra tha në fjalën e tij:
“Zonja e zotërinj!
Të afërm e të njohur të të ndjerit Sherif Delvina!
Ndjekës e lexues të Botimeve ALSAR!
Jemi në këtë sallë për një ceremoni promovuese që mund të çmohet në të njëjtën kohë si homazh për mbajtësin e denjë të mbiemrit Delvina, me peshë të madhe në historinë e vendit tonë.
Për mua, si kryetar i Fondacionit ALSAR dhe si individ, emocioni sot është i dyfishtë, për shkak të lidhjes së ngushtë njerëzore me Sherif Delvinën. Ai vetë thoshte se më kishte si nip, prandaj, përtej pozitës këtu, më duhet të sillem edhe si i tillë.
Pa vijuar ende, dua të falënderoj veçanërisht akademikët në këtë ceremoni. Mirë se erdhët!
Të nderuar të pranishëm!
Pas katër vitesh nga ikja prej kësaj jete e Sherif Delvinës, Botimet ALSAR sapo kanë nxjerrë nga shtypi kolanën me 12 vëllime të veprave të tij. Dy vëllimet e para janë përmbledhje e bërë nga ne e shkrimeve ndër vite në gazeta e revista, ndërsa vëllimet e tjera përmbajnë riprodhime anastatike në shqip e anglisht.
Sherif Delvina e meritonte këtë shprehje të fortë respekti e vlerësimi, si studiues e historian, përkthyes, dramaturg e publicist, si polemizues me përgjigje në majë të gjuhës, apo shprehur më popullorçe, hazërxhevap. E meritonte dhe si atdhedashës, edhe si një njeri i mirë!
Mbajtësi i dritës ndezur të Delvinajve ishte një mbrojtës i çështjes kombëtare në të tëra drejtimet, si pakkush në këto kohë. Ithtar i parimeve të larta, vështirë se mund të gjendeshin tek ai momente dobësie dhe tentative për t’i shkelur ato. Megjithatë, ai nuk ia mohoi vetes kujdesin më herët për të mos shkruar kundër regjimit, para se të niste një tjetër epokë, ajo e lirisë dhe e lulëzimit të tij intelektual.
I dhënë pas arkivave e bibliotekave qe vetë një bibliotekë në ecje, një bartës librash mbi dy këmbë, një minierë informacioni, hulumtues, lexues dhe shkrues i palodhur. Zemërbardhë, e shfaqte altruizmin në fushat e tij të interesit ndërsa dëshironte të ndihmonte çdo studiues, e nuk kishte për gjë dhe të dhuronte materiale me vlerë studimore.
Miq të nderuar!
Njohja ime me Sherif Delvinën ndodhi në vitin 1995, në Bibliotekën Kombëtare, e fatmirësisht u kthye shpejt në miqësi, të ushqyer vazhdimisht më pas nga të dy e të mbajtur gjallë për sa ai qe në këtë botë.
Si një student i ri, kjo njohje më vlejti në mbarimin me sukses të universitetit dhe në mbrojtjen e disertacionit. Jo vetëm kaq, por ngaqë për të isha gati një nip, siç e thashë më sipër, nuk ngurronte të më jepte dhe këshilla martese. Më thoshte të merrja dibrane, sepse, siç sugjeronte, ato ishin të zgjuara, e nëse binin në dorë të mirë, nuk dalldisnin, mund të bënin punë të mirë e të të zbardhnin faqen. Më duhet të them se nuk e ndoqa në këtë këshillë, apo se ndryshe e desh fati!
Sherif Delvina e deshte shumë Turqinë, e kishte vëmendjen në të. I vlerësonte reformat e Kemal Ataturkut. Por duhet thënë se i mungonin njohuritë e mjaftueshme fetare për konkluzione të pakundërshtueshme.
Sa i përket kontributit dhe gjurmës të lënë në Fondacionin ALSAR, bashkëpunimi me të mbetet i pazëvendësueshëm. Ai u tregua largpamës, shumë largpamës, qoftë për themelimin e fondacionit, qoftë për përfshirjen në veprimtarinë botuese. Anëtar i bordit botues, ndihmoi për botimin e titujve të pasjellë në gjuhën shqipe, dhe ngulmoi për t’i dhënë lexuesit në shqip veprën me shumë vlerë të Justin McCarthy-it, ‘Vdekje dhe dëbim – Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922’.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni promovimi!
ALSAR-i ka mbyllur vetëm një kapitull me këtë botim shumëvëllimësh. Ka ende dokumentacion, dorëshkrime, materiale në letër e në ruajtje dixhitale të lënë nga Sherif Delvina që pret të kontrollohet e të përpunohet nga ne për një tjetër botim në një kohë të ardhshme, por të papërcaktuar.
Për sa më sipër, dhe për tërë mirëdashjen e treguar, një falënderim i ngrohtë i dedikohet me shumë përzemërsi familjes së Sherif Delvinës. Faleminderit për gjithçka!
Pas kësaj, më mbetet vetëm t’ju uroj të gjithëve ta shijoni këtë ceremoni për promovimin e veprës së penëndriturit Sherif Delvina!
Zoti e gëzoftë atë në amshim!
E për ne, qoftë ky botim një prej punëve tona të mira!”
Aktivitetin promovues e përshëndeti prefekti i Tiranës, z. Shkëlqim Hajdari, vënës në pah i cilësive të Sherif Delvinës si një njeri që e deshi vendin dhe që punoi për kombin, si një shembull i njeriut të brymosur me aspirata kombëtare.
Në ceremoni u mbajtën katër kumtesa të dedikuara Sherif Delvinës nga kënde të ndryshme.
Dr. Etleva Domi kishte zgjedhur për këtë promovim temën, “Rrugëtimi i veprimtarisë botuese të historianit Sherif Delvina në këndvështrimin e bibliografit”. Pas saj, prof. dr. Luan Malltezi mbajti kumtesën, “’Mësues i Popullit’, historian, poet dhe dramaturg i talentuar”. Prof. dr. Pëllumb Xhufi trajtoi një aspekt të spikatur të veprimtarisë shkruese të Sherif Delvinës, “Çamëria dhe Kosova në veprën e një studiuesi atdhetar”. Z. Tarik Llagami u ndal te “Sherif Delvina si mësues”. Plarent Sinamati foli si përfaqësues i familjes Delvina.
Të pranishmit në ceremoninë promovuese i ndoqën me vëmendje fjalët dhe kumtesat e mbajtura.
Një koktej mbylli ceremoninë e organizuar nga Fondacioni ALSAR.

