Fondacioni ALSAR me mbështetjen nga TİKA, në Vlorë zhvillon simpoziumin shkencor për Gedik Ahmed Pashën

Fondacioni ALSAR me mbështetjen nga TİKA, në Vlorë zhvillon simpoziumin shkencor për Gedik Ahmed Pashën

Fondacioni ALSAR organizoi dhe mbajti në Vlorë këtë të enjte, më 6 nëntor, simpoziumin shkencor të kushtuar një personaliteti të spikatur, ushtarakut dhe shtetarit osman Gedik Ahmed Pasha. Zhvillimi i aktivitetit shkencor pati mbështetjen nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim.

Në simpoziumin e mbajtur në sallën “Ali Asllani”, te Aula Magna e Universitetit Ismail Qemali, pjesëmarrja përfshinte intelektualë, pedagogë, studentë, qytetarë të Vlorës, të interesuar për të mësuar për jetën dhe veprën e Gedik Ahmed Pashës.

Punimet e simpoziumit i ndoqën atasheu për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, z. Adem Gerlegiz, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Simpoziumi, “Jeta dhe veprat e Gedik Ahmed Pashës”, u hap me dëgjimin e himneve të Shqipërisë dhe Turqisë, respektuar me qëndrim në këmbë nga të gjithë pjesëmarrësit.

Kryetari i entit organizator, Fondacionit ALSAR, z. Mehdi Gurra, mbajti më pas një fjalë përshëndetëse, në të cilën tha:

“Të nderuar pjesëmarrës!

Ju uroj mirëseardhjen në këtë simpozium shkencor të organizuar nga Fondacioni ALSAR dhe të mbështetur nga TİKA, Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim!

Organizimi në Vlorë i këtij aktiviteti kulturor dhe shkencor, në një sallë të destinuar për të përçuar dije në brezin e ri, është shprehje e vizionit kombëtar të Fondacionit ALSAR, të kujdesshëm në çdo hap të veprimtarisë së tij për t’i shërbyer në shumë dimensione shoqërisë shqiptare si një e tërë.

Një organizim i tillë dëshmon interesin e pandryshuar të Fondacionit ALSAR për të kontribuar në ndriçimin dhe përkujtimin e së shkuarës, për të mos e lënë në harresë historinë dhe për t’i vënë në pah mësimet e saj si linja udhëzuese në të sotmen dhe të nesërmen tonë.

Si qyteti ku mori udhë shteti i ri shqiptar, Vlora ka pa dyshim një status dhe tërheqje të veçantë. Nuk jemi thjesht në një qytet turistik, por në vendin e zanafillës së historisë moderne të shqiptarëve, që prej në shekulli e më shumë të pavarur në jetën e tyre shtetërore. Përzgjedhja e Vlorës, pra, për këtë simpozium, është e mirëmenduar, shumë e kuptimtë, dhe aspak rastësore.

Ngjarje dhe personazhe me rëndësi historike, që kanë lënë gjurmë në të shkuarën, përzgjidhen rregullisht nga Fondacioni ALSAR për t’u risjellë në vëmendje, për t’u ritrajtuar nga këndvështrime të reja, për t’u parë më objektivisht e për t’u vlerësuar sa më larg ndikimeve ideologjike të kohës apo të trashëguara. Siç e lashë të kuptohet dhe më lart, gjeografia e veprimtarive tona në këtë kuadër nuk është spontane!

Të fokusuar në periudhën osmane, si pjesëtarë të gjallë dhe dendur protagonistë të perandorisë më të madhe të kohës, kemi rinxjerrë në mënyrë ciklike në dritë figura të denja për t’u përmendur me vlerësim për atë çka dhanë në të gjallë të tyre dhe lanë të paharrueshme për njerëzinë kur u mbaroi koha e të qëndruarit në këtë botë. Tema e këtij simpoziumi shkencor i kushtohet njërit prej tyre.

Gedik Ahmed Pasha e shkroi historinë e vet në shekullin e 15-të, i përcaktuar si një prej shtetarëve dhe komandantëve ushtarakë më të spikatur të Perandorisë Osmane në mesin e atij shekulli. Kulmin, si Vezir i Madh, e pati gjatë sundimit të Mehmedit II; ekzekutimi i erdhi kur në fronin sulltanor rrinte i ulur Bajazidi II. Jeta e tij si një osman i devotshëm i bëri hapat e para përmes devshirme-së së mirënjohur; ai shfaqi tërë kapacitetin për të mos e çuar ekzistencën e tij në hije, i padalluar nga askush. ‘Gedik’ u bë pjesë e emrit të tij pikërisht për shkak të aftësive në fushat e betejës, për të ndërtuar, mbrojtur e çarë fortesa dhe kala.

Si shumë ushtarakë me shpatën osmane në mill, Gedik Ahmed Pasha korri fitore që i dhanë lavdi, i dhanë emër dhe i siguruan karrierë në perandori. Beteja dhe suksese në Anadoll, fushata e Krimesë, e çmuar dhe si ekspedita më me rëndësi strategjike dhe sjellëse e një shtrirjeje domethënëse të Perandorisë Osmane në Detin e Zi, fushata italiane dhe marrja e Otrantos, kishin për protagonist dhe aktor kryesor pikërisht Gedik Ahmed Pashën, falë të cilit u siguruan territore të reja dhe sulltanati vijoi ekspansionin.

Rregullsisë së kësaj jete nuk i shpëtoi as Gedik Ahmed Pasha, rënia e të cilit filloi të dukej me mbylljen e kapitullit të Mehmedit II. Si shumëkujt në perandori, pushteti në rritje dhe dyshimet e krijuara pashmangshmërisht me të i hëngrën kokën dhe atij. Kjo ndodhi në nëntorin e 1482-shit, dy vite pas suksesit në Otranto dhe një vit pas vdekjes së Mehmedit II.

Gedik Ahmed Pasha e shkroi emrin e tij dhe nëpërmjet veprimtarisë bamirëse; diçka krejt normale dhe e zakonshme për njerëzit me një lloj pushteti të asaj epoke. Vepra arkitekturore u ndërtuan nën ndikimin dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë; aktiviteti vakëfnor nën emrin e tij është i prekshëm dhe i dallueshëm ende.

Aftësitë ushtarake dhe shtetërore, dhe angazhimi i tij shoqëror e kulturor, e kanë bërë Gedik Ahmed Pashën një prej figurave që portretizon më së miri osmanin e suksesshëm të kohë. Trashëgimia e tij meriton vërtet të merret e të rimerret në analizë, të studiohet, e të ketë njohjen e duhur.

Shpresoj që ky simpozium të ndihmojë në ndriçimin e personalitetit dhe të arritjeve të tij!

Ju uroj të gjithë pjesëmarrësve të kenë dobi nga ky aktivitet!

Ju uroj, njëkohësisht, kumtuesve ligjërim të mbarë dhe të kuptueshëm!”

Fjalë përshëndetëse u përcolli pjesëmarrësve dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, z. Mustafa Ata.

Në radhën e kumtesave, i pari e mori fjalën prof. dr. Pëllumb Xhufi, temë e përzgjedhur prej të cilit ishte, “Gedik Ahmed Pasha dhe ekspedita e Otrantos (1480-1481).

Ligjëruesi nga Turqia, prof. dr. Ahmet Şimşirgil, mbajti kumtesën, “Jeta politike dhe shoqërore e Gedik Ahmed Pashës”.

Pjesëmarrësit dëgjuan nga dr. Enkelejda Billa kumtesën, “Fragmente nga jeta e Gedik Ahmed Pashës”.

Kumtuesi i fundit, nga Kosova, dr. Agron Islami, ligjëroi temën, “Profili ushtarak i Gedik Ahmed Pashës: Një kryekomandant i fushatave osmane kundër gjenovezëve dhe venedikasve (1460-1482)”.

Organizatorët do t’i ftonin të pranishmit në një koktej në fundin e punimeve të simpoziumit shkencor.

MARKETING