Fondacioni ALSAR dhe TİKA shpërndajnë ndihma ushqimore për jetimë të kryeqytetit në nisje të Ramazanit
Fondacioni ALSAR dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) kanë zhvilluar një aktivitet humanitar të mërkurën, më 18 shkurt, në kuadër të nisjes së muajit të Ramazanit.
Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” është bërë shpërndarja e ndihmës humanitare në pako me ushqime për jetimë të Tiranës.
Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, dhe koordinatori i TİKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, kanë qenë të pranishëm në shpërndarjen e ndihmave dhe u janë drejtuar pjesëmarrësve me fjalë përshëndetëse.
Atmosfera festive ishte lehtësisht e dukshme gjatë aktivitetit humanitar. Për jetimët u shpërndanë 900 pako me artikujt bazë ushqimorë.
Me aktivitetin startoi një fushatë e gjerë e shpërndarjes së ndihmave ushqimore në Ramazan, ndërsa TİKA do të dhurojë një total prej 3500 pakosh me ushqime për jetimë dhe familje në nevojë anembanë vendit, të paraqitur për ndihmë pranë Fondacionit ALSAR.
Aktivitete të tilla humanitare do të ketë në vazhdimësi përgjatë tërë Ramazanit. Përçimi i frymës së këtij muaji të begatë, lehtësimi i përditshmërisë së shtresave në nevojë dhe shprehja e solidaritetit njerëzor i bashkëshoqërojnë në synim këto aktivitete.

