Fluks emigrantësh në Finlandë para rimbylljes së dy pikave kufitare me Rusinë

Fluks emigrantësh në Finlandë para rimbylljes së dy pikave kufitare me Rusinë

Dhjetra emigrantë kaluan në Finlandë disa orë përpara rimbylljes së dy pikave të kalimit jugor në kufirin me Rusinë, ndërsa vendi nordik po përjeton një fluks azilkërkuesish.

Vendkalimet Vaalimaa dhe Niirala ishin rihapur shkurtimisht të enjten pasi u mbyllën në fund të muajit të kaluar, së bashku me gjashtë pikat e tjera të Finlandës në kufirin me Rusinë, shkruan AP.

Finlanda fajëson Moskën për dërgimin e emigrantëve në kufi në një përpjekje për të destabilizuar vendin, i cili u bashkua me NATO-n në prill teksa Rusia mohon këto akuza.

“Ky është një fenomen i jashtëzakonshëm. Nuk kemi parë kurrë trafik si ky më parë,” tha zëvendës komandanti i kufirit Samuli Murtonen për transmetuesin finlandez YLE.

Të enjten vonë, Roja Kufitare Finlandeze kishte raportuar se dhjetëra emigrantë pa dokumentacion apo viza të duhura kishin mbërritur në dy pikat e kontrollit. Megjithatë, qeveria finlandeze vendosi të njëjtën ditë t’i mbyllë ato përsëri, duke filluar nga e premtja nga ora 20:00. Ata do të qëndrojnë të mbyllura deri më 14 janar.

Rihapja e shkurtër kishte për qëllim si një provë për të parë nëse “fenomeni” i emigrantëve ekziston ende në kufi, sipas qeverisë finlandeze. Autoritetet finlandeze thonë se rreth 1,000 emigrantë pa viza të duhura ose dokumentacion të vlefshëm kishin mbërritur në kufi që nga gushti deri në fund të nëntorit, me më shumë se 900 prej tyre vetëm në nëntor.

Ekzistojnë tetë pika kalimi për trafikun e pasagjerëve dhe automjeteve në kufirin tokësor Finlandë-Rusi dhe një pikë kontrolli hekurudhor për trenat e mallrave. Që nga mbrëmja e së premtes, vetëm pika e kontrollit hekurudhor do të mbetet e hapur mes dy vendeve.

MARKETING