(VIDEO) Fjalimi i imamit të mirënjohur nga Shkupi, Dr. Benjamin Idriz në kishën “Erlöser” të Mynihut: Dialogu është çelësi i bashkëjetesës mes feve të ndryshme

(VIDEO) Fjalimi i imamit të mirënjohur nga Shkupi, Dr. Benjamin Idriz në kishën “Erlöser” të Mynihut:  Dialogu është çelësi i bashkëjetesës mes feve të ndryshme

Më 3 nëntor, imami i mirënjohur nga Shkupi, Dr. Benjamin Idriz, ka mbajtur një fjalim në kishën “Erlöser” të Mynihut, e cila u organizua nga Akademia Protestante e Tutzing-ut.

Në kishën me mysafirë përplotë me mbi 600 të pranishëm, në mesin e tyre klerikë, politikanë, përfaqësues të grupeve të ndryshme fetare, pjesëmarrësit mbetën të fascinuar nga mesazhet dhe thirrjet për paqe dhe tolerancë ndaj njerëzimit të imamit shkupjan, Dr. Benjamin Idriz. Në fjalimin e tij, imami Idriz, para të pranishmëve mes tjerash propozoi edhe një deklaratë të përbashkët me figura si Kardinali Marx, Peshkopi Kopp, Presidentja e IKG-së, znj. Knobloch dhe Rabini i Përgjithshëm Goldschmidt, e që ky mesazh ishte edhe shenjë kuptimplote dhe mbresëlënëse për të gjitha palët, ku bashkëpunimi në dialogu ndërfetar i tejkalon edhe kufijtë e feve.

Ndryshe, Deklarata e përbashkët, kërkon lirimin e të gjithë pengjeve, ndalimin e dhunës, ndihmë të menjëhershme humanitare, një zgjidhje të drejtë të konfliktit në Tokën e Shenjtë dhe një qëndrim të përbashkët kundër antisemitizmit dhe islamofobisë në Gjermani.

Teksti i plotë në gjuhën shqipe nga ligjërata e imamit nga Shkupi, Dr. Benjamin Idriz:

FJALIM NË KATEDËR ME IMAMIN BENJAMIN IDRIZIN

“Si duam të jetojmë së bashku? – Një Perspektivë Muslimane”

Kisha e Shëlbyesit, Mynih, 3 nëntor 2024

Bismillahirrahmanirrahim!

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.

Falënderimi i takon Zotit, Zotit të botëve.

Salavatet e tij qofshin mbi të gjithë të dërguarit e tij,

dhe paqja ardhtë për të gjithë njerëzit.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Ndihem i mbushur me nder e me gëzim që ju drejtohem juve sot në këtë kishë të nderuar. Çdo të premte unë ngjitem në minberin e xhamisë ku unë shërbej për të ndarë mendimet e mia: një mësim, një përkujtesë, një këshillë ose një mesazh ngushëllimi. Sot ndihem si në shtëpinë time këtu, njëlloj si atje, sepse një vend lutjesh mbetet vend adhurimi – qoftë xhami, kishë, manastir apo sinagogë. Të gjitha vendet e adhurimit i bashkon qëllimi për të lartësuar Zotin. Kjo lidhje është veçanërisht e qartë në Kuran, ku në suren e 22-të, ajeti 40, vendet e adhurimit janë renditur në një rresht, si rruazat e një tespije, apo një rruzareje.

Për këtë mundësi që m’u dha, shpreh falenderimet e mia të përzemërta për z. Udo Hahn, drejtor i Akademisë Ungjillore Tutzing, dhe znj. Birgitte Grande, presidente e rrethit të miqve të Akademisë. Ju më dhatë mundësinë të shpreh mendimet e mia për temën “Si duam të jetojmë së bashku? – Një Perspektivë Muslimane” për t’i ndarë ato këtu me ju.

Shoqëria jonë në Gjermani sot është e larmishme dhe komplekse në një shkallë që vështirë se e ka përjetuar ndonjë brez i mëparshëm. Ky diversitet – i karakterizuar nga dallime kulturore dhe fetare – është një forcë e madhe që na pasuron si shoqëri, zgjeron horizontet tona dhe e bën jetën tonë më të larmishme dhe plot ngjyra.

Por kjo pasuri mbart edhe sfida. Të gjithë kemi përgjegjësi për t’i dhënë formë këtij diversiteti dhe për të përfituar nga mundësitë që na ofron. Kjo kërkon guxim: guxim për t’iu afruar njëri-tjetrit, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të kultivuar respekt për njëri-tjetrin dhe për të njohur ngjashmëritë që na lidhin, pavarësisht nga të gjitha dallimet që kemi.

Ngjarja e sotme është një shembull i vyer për këtë: na hap sytë dhe zemrat ndaj peshës së këtij takimi. Duke u njohur me njëri-tjetrin dhe duke dëgjuar njëri-tjetrin, ne ndërtojmë besim, kapërcejmë paragjykimet dhe heqim barrierat që na ndajnë.

Dhe unë dua të shfrytëzoj rastin që t’ju ftoj ngrohtësisht në xhaminë tonë. Secili prej jush është i mirëpritur atje dhe do të ishte një nder i madh t’ju mirëpres si mysafirët e mi. Natyrisht, ftesa është gjithashtu e hapur për klerikët e krishterë të cilët dëshirojnë të flasin në lidhje me bashkëjetesën nga një këndvështrim i krishterë.

E pranova këtë ftesë me mirënjohje të madhe, sepse tema që na bashkon këtu sot ka një rëndësi të veçantë për zemrën time – ajo është një temë që do të formësojë ndjeshëm të ardhmen tonë.

Sa herë që myslimanët më pyesin pse të krishterët ftojnë një imam të flasë nga katedra e tyre, përgjigja ime është e thjeshtë: Sepse të krishterët dhe kleri i tyre janë njerëz të afërt me ne, siç e përshkruan Kurani në suren 5, ajeti 82:

وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُمْ مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُواْ الَّذِينَ قَالُواْ إِنَّا نَصَارَى ذَلِكَ بِأَنَّ مِنْهُمْ قِسِّيسِينَ وَرُهْبَانًا وَأَنَّهُمْ لاَ يَسْتَكْبِرُونَ

“Dhe pa dyshim do të zbuloni se ata që janë më të afërt me myslimanët janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë.” Kjo është për shkak se mes tyre ka priftërinj dhe murgj dhe sepse ata nuk sillen me kryelartësi.”

Ky pranim dhe ky lavdërim që Kurani iu bën të krishterëve dhe klerit të tyre nuk kufizohet vetëm në këtë ajet.

وَقَفَّيْنَا بِعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ وَآتَيْنَاهُ الإِنجِيلَ وَجَعَلْنَا فِي قُلُوبِ الَّذِينَ اتَّبَعُوهُ رَأْفَةً وَرَحْمَةً

“Më pas, Ne dërguam gjurmët e të dërguarve tanë (Abrahamit) dhe bëmë që të ndjekë Isain, birin e Merjemes, dhe i dhamë Ungjillin dhe mbollëm butësi dhe mëshirë në zemrat e atyre që e ndiqnin (57:27).”

Këto cilësi – përulësia, butësia dhe mëshira – përshkruhen në Kuran si karakteristika të ndjekësve të Ungjillit. Zoti mbolli butësi dhe mëshirë në zemrat e tyre, duke i bërë ata njerëz të dhembshur që mund të shërbejnë si modele për një bashkëjetesë paqësore dhe të përgjegjshme. Ky pranim hyjnor na fton të forcojmë urën që lidh bashkësitë tona islamo-kristiane.

Duhet ta dini se ne myslimanët në Kuranin tonë citojmë vargje që janë të mbushura me lavdërime për Jezu Krishtin, nënën e tij Marinë dhe Ungjillin. Unë do të citoj vetëm një nga të shumët prej tyre:

وَقَفَّيْنَا عَلَى آثَارِهِم بِعِيسَى ابْنِ مَرْيَمَ مُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنَ التَّوْرَاةِ

وَآتَيْنَاهُ الإِنجِيلَ فِيهِ هُدًى وَنُورٌ وَمُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنَ التَّوْرَاةِ وَهُدًى وَمَوْعِظَةً لِّلْمُتَّقِينَ

“Në gjurmët e tyre ne ndoqëm Isain (Jezuin), të birin e Merjemes (Marisë); ai konfirmoi atë që ekzistonte para tij për Teuratin (Torahun). Ne i dhamë atij Ungjillin. Aty ka udhëzim dhe dritë, ka udhëzim e këshillë për ata që janë të ndërgjegjshëm për Allahun.” (5:46)

Ruajtja e kësaj tradite jo vetëm duke recituar ajete të tilla në namazet, lutjet dhe predikimet tona, por edhe duke i përjetuar ato, duhet të jetë obligim i të gjithë myslimanëve, dhe, për fat të mirë, ka dhe ka pasur myslimanë kudo përgjatë epokave që jetojnë në bazë të këtyre ajeteve.

Ka mësime të panumërta në lidhje me Judaizmin, Torahun, vëllezërit e motrat hebrenj dhe pikëtakimet midis traditave myslimane dhe hebraike nga një këndvështrim islam, të cilat do të doja t’i shpjegoja në një sinagogë nëse do të gjendesha sot i ftuar atje.

Zonja dhe zotërinj,

Në Lindjen e Mesme, në vende si Siria, Jordania, Libani, Turqia, Egjipti dhe Toka e Shenjtë, vëllazëria islamo-krishtere ka rrënjë të thella dhe ajo është e ngulitur dukshëm në jetën e përditshme. Njohja reciproke dhe solidariteti janë kthyer në një traditë të gjallë atje, ku komuniteti dhe mbështetja e ndërsjellë janë vlera që bashkëndahen dhe kultivohen.Megjithatë, në Europë, Lufta e Dytë Botërore, veçanërisht gjenocidi ndaj hebrenjve europianë, la plagë të thella. Kishat e krishtera duhet të përballen me përgjegjësinë e tyre historike, duke pasur parasysh indiferencën e shumë njerëzve ndaj persekutimit të hebrenjve dhe antisemitizmit racist në Europë.

Kjo mosmarrëveshje shpuri në një dialog intensiv dhe proces afrimi midis të krishterëve dhe hebrenjve në Gjermani dhe Europë. Me synimin legjitim për të kapërcyer urrejtjen dhe paragjykimet, u krijua kësodore një bazë solide për bashkëjetesën e sotme krishtero-hebraike.

Prandaj sot ekzistojnë dy ura të forta: në Lindje, tradita e kohezionit lidh myslimanët dhe të krishterët, ndërsa në Perëndim, dialogu dhe solidariteti, veçanërisht midis të krishterëve dhe hebrenjve, janë rritur në peshë. Këto dy marrëdhënie na tregojnë se çdo shoqëri gjen mënyrat e saj specifike të formësimit të bashkëjetesës.

Ashtu si Europa Perëndimore, pas përvojave tragjike të shekullit të 20-të, u angazhua me vendosmëri për një marrëdhënie respekti midis të krishterëve dhe hebrenjve, na takon neve sot të forcojmë urën ekzistuese midis myslimanëve dhe të krishterëve këtu në Perëndim dhe të ndërtojmë mbi atë që është trashëgimia e përbashkët për të krijuar një bazë të fuqishme për një të ardhme të përbashkët.

Pas pogromeve ndaj hebrenjve në Spanjën e krishterë, myslimanët në Bosnje, Shqipëri dhe Turqi u dhanë mbrojtje dhe strehim refugjatëve hebrenj. Në Sarajevë, Haggadah, një libër i famshëm judaik lutjesh, u ruajt dhe u mbrojt nga myslimanët gjatë luftës shkatërruese në vitet 1990-të. Gjithashtu, hebrenjtë qëndruan në anën e myslimanëve gjatë kësaj lufte, ashtu si të krishterët në Gaza dhe Liban qëndrojnë në anën e myslimanëve sot dhe anasjelltas.

Këto marrëdhënie dhe përvoja të ndryshme – qofshin ato hebreje-kristiane, krishtero-myslimane apo myslimano-hebreje – janë rezultat i ngjarjeve sociale dhe politike dhe secila prej tyre ndodhi në një kontekst specifik. Megjithatë, ajo që shkon përtej kontekstit të kohës, vendit ose ngjarjeve shoqërore janë vlerat dhe parimet thelbësore që duhet të zbatohen universalisht:

Ne jemi vëllezër dhe motra në rrënjët e besimit, ne qëndrojmë në anën e viktimave – pavarësisht se kush janë ata – dhe refuzojmë të gjitha format e shtypjes, pavarësisht se kush është autori. Për të arritur një pikë dakordësie mbi këtë parim, Kurani u bën thirrje hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve në suren Al Imran, e cila mban emrin e familjes së Jezuit, si vijon:

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَى كَلِمَةٍ سَوَاء بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ

“O Populli i librit! Ejani në një fjalë të njëjtë mes nesh dhe jush në baza të barabarta, të cilën ne dhe ju e kemi të përbashkët.”

Ky parim, të cilin ne si bashkësi fetare duhet ta kemi të përbashkët, ngrihet mbi dy baza:

أَلاَّ نَعْبُدَ إِلاَّ اللَّهَ وَلاَ نُشْرِكَ بِهِ شَيْئً

وَلاَ يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّهِ

1. “Që të mos adhurojmë tjetër veç Zotit” dhe

2. Që të mos marrim si perëndi njëri-tjetrin” (3:64)

Ky ajet është një ftesë e fuqishme për dialog të respektueshëm dhe konstruktiv. Ai na sjellë në kujtesë se si qenie njerëzore, ne jemi të lidhur në vlerat dhe dinjitetin tonë themelor. Askush prej nesh nuk ka privilegje që na lartësojnë mbi të tjerët dhe askush prej nesh nuk ka të drejtë të shtypë ose të vendosë veten mbi të tjerët. Kjo barazi para Zotit është themeli i një shoqërie të drejtë dhe na bën thirrje të jemi modestë dhe të përulur.

Të gjithë njerëzit, pavarësisht besimit apo prejardhjes së tyre, janë të barabartë para Zotit dhe dinjiteti i tyre është i pacenueshëm. Prosperiteti dhe siguria jonë janë të ndërvarura. Kjo kuptimësi është pika ku qëndron forca e vërtetë e një komuniteti – kur njerëzit qëndrojnë së bashku në respekt të ndërsjellë dhe të vetëdijshëm për humanitetin e tyre të përbashkët.

Ky ajet na fton të mbajmë një qëndrim të hapur dhe të hyjmë në një dialog të bazuar në barazi dhe respekt. Një qëndrim i tillë është hapi i parë drejt kapërcimit të paragjykimeve dhe promovimit të paqes që na nevojitet për një të ardhme të drejtë dhe të bazuar në solidaritet.

Arroganca, ekskluzivizmi dhe fanatizmi shpiejnë në errësirë, ndasi dhe shkatërrim. Qëndrime të tilla bllokojnë rrugën drejt mirëkuptimit dhe minojnë harmoninë mes nesh. Ato ndërtojnë mure aty ku nevojiten ura dhe sjellin vuajtje aty ku pajtimi mund të jetë i mundur.

Zoti i mirë do që ne njerëzit me besime të ndryshme fetare të jetojmë në unitet në lidhje me vlerat themelore, si dinjiteti njerëzor, paqja dhe drejtësia. Ne nuk duhet ta lejojmë veten të zhytemi në ndasi dhe të përçahemi në këtë mësim thelbësor të feve. Vlen të përmendet se një ajet kuranor i shpallur 1,450 vjet më parë paralajmëroi që në atë kohë për polarizimin që ne përjetojmë sot. Citoj:

شَرَعَ لَكُم مِّنَ الدِّينِ مَا وَصَّى بِهِ نُوحًا وَالَّذِي أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ وَمَا وَصَّيْنَا بِهِ إِبْرَاهِيمَ وَمُوسَى وَعِيسَى

أَنْ أَقِيمُوا الدِّينَ وَلا تَتَفَرَّقُوا فِيهِ

“Zoti ju ka përcaktuar në fe vetëm atë për cilën e kishte urdhëruar Nuhun dhe atë për të cilën ju vumë në dijeni (o Muhamed), si dhe atë për të cilën i kishim urdhëruar Ibrahimit, Musait dhe Isait: qëndrojini besnikë parimeve të fesë dhe mos u përçani për shkak të tyre!” (42:13)

Zonja dhe zotërinj,

Në ditët e sotme, kur ndasia midis feve nëpërmjet linjave politike duket të jetë veçanërisht e përhapur në mbarë botën, mësimet tona të përbashkëta hyjnore, arsyeja jonë dhe parimet e demokracisë sonë na kërkojnë që t’i kapërcejmë këto ndasi të presupozuara. Nuk ka alternativë tjetër ndaj dialogut dhe bashkëbisedimit. Përndryshe, ekziston rreziku i një të ardhmeje të karakterizuar nga urrejtja dhe armiqësia. Ndarje të tilla dhe frika nga shprehja e lirë krijojnë mosbesim, nxisin paragjykime dhe na pengojnë të rritemi së bashku si shoqëri.

Kjo është arsyeja se përse dialogu nuk duhet të ndërpritet kurrë, ndonëse ndonjëherë mund të jetë i pakëndshëm ose sfidues. Është përgjegjësia jonë të mbrojmë brezin e ardhshëm nga gabimet e së kaluarës dhe t’i hapim rrugën bashkëjetesës paqësore. Qëllimi duhet të jetë një shoqëri në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve dhe kulturave të bashkëjetojnë, në të cilën ata mësojnë nga njëri-tjetri dhe kultivojnë respekt të ndërsjellë.

Pra, të mos lejojmë që të ndikohemi nga ngjarje që janë larg nesh apo nga pretendimet për pushtet politik, por të ruajmë dhe ushqejmë marrëdhëniet ndërpersonale këtu, ku jetojmë krah për krah me njëri-tjetrin. Duke kultivuar humanizmin tonë dhe vlerat e respektit dhe solidaritetit të ndërsjellë në jetën e përditshme, në lagjen tonë, ne dërgojmë një sinjal të fortë paqeje dhe mirëkuptimi.

Në situata krize, është thelbësore që udhëheqësit fetarë dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tyre fetare të veprojnë me maturi dhe mençuri. Ata duhet të veprojnë si modele për paqen, dhembshurinë dhe mirëkuptimin dhe duhet të udhëhiqen nga vlerat thelbësore të feve të tyre, të cilat gjenden, ndër të tjera, në Dhjetë Urdhëresat. Këto vlera ofrojnë një bazë etike për t’iu përgjigjur në mënyrë konstruktive konfliktit dhe për të nxitur dialogun. Duke përdorur ndikimin e tyre për të promovuar paqen, drejtësinë dhe harmoninë, udhëheqësit fetarë mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe të hapin rrugën për bashkëjetesë të harmonishme.

Miratimi i heshtur i dhunës, terrorit, luftës apo hakmarrjes minon ndjeshëm besueshmërinë e përfaqësuesve fetarë. Nëse ata nuk i dënojnë hapur vuajtjet dhe padrejtësitë, fjalët e tyre për paqen dhe të drejtat e njeriut e humbasin peshën e tyre. Integriteti moral i udhëheqësve fetarë matet jo vetëm nga predikimet e tyre, por edhe nga mënyra se si ata reagojnë ndaj vuajtjeve të njerëzve. Është përgjegjësia juaj të ngriheni me vendosmëri dhe të ngreni zërin për jetën, për dinjitetin e çdo qenieje njerëzore dhe për paqen – pa ndikime politike dhe pavarësisht nga pritshmëritë sociale.

Vetëm kur ne, përfaqësuesit e feve, qëndrojmë vazhdimisht në mbrojtje të vlerave themelore të feve tona – paqes, drejtësisë dhe njerëzimit – atëherë ne mund të krijojmë besim, të fitojmë respekt dhe të frymëzojmë njerëzit që të ndihen të lidhur me fenë e tyre. Shumë njerëz po distancohen nga fetë sepse vërejnë sesi fetë po shfrytëzohen gjithnjë e më tepër për qëllime pushteti. Ne mund të jemi ambasadorë autentikë të njerëzimit vetëm nëse ngrihemi pa kompromis për atë që është e shenjtë për ne dhe për atë që i jep trajtë besimit tonë.

Jahvehu, Perëndia, Allahu – Krijuesi një dhe i vetëm të cilin ne e evokojmë në gjuhë dhe tradita të ndryshme – është drita që përndrit botën. Kjo dritë hyjnore nuk na është dhënë për të mbjellë armiqësi apo për të krijuar ndasi, por për të kultivuar unitet, paqe dhe udhëzim. Fjalët e Zotit nuk duhet të përdoren kurrë si justifikim për dhunën, luftën dhe shkatërrimin; përkundrazi, ato janë një thirrje urgjente për t’i dhënë fund luftërave dhe konflikteve, për të ndërtuar ura dashurie dhe mirëkuptimi dhe për të na nxjerrë nga errësira e intolerancës.

Mësimet tona të ndryshme fetare janë fanarë ndriçues që na tregojnë rrugën drejt të vërtetës dhe të mirës. Megjithatë, shumë shpesh, ne njerëzit kemi prirjen që t’i shtrembërojmë këto mesazhe dhe t’i përdorim ato kundër njëri-tjetrit, në vend që të njohim potencialin e tyre të vërtetë – domethënë, të promovojmë jetën e drejtësisë, dhembshurisë dhe paqes. Në vend që të përdoret drita e fesë për të larguar errësirën e paragjykimit, ajo ndonjëherë abuzohet si një mjet përçarjeje dhe intolerance.

Ndoshta është koha që ne si përfaqësues të feve të pyesim veten: Kur do të bashkohemi me vendosmëri dhe kur do të ngremë zërin kundër luftës dhe vuajtjeve të njerëzve të pafajshëm? Kur do të fokusohemi sërish në vlerat themelore të feve tona dhe kur do të punojmë së bashku për bashkëjetesë paqësore?

Javën e ardhshme unë do t’i dërgoj një letër kardinalit Marks, peshkopit rajonal Kopp, Presidentes së IKG-së, znj. Knobloch dhe kryerabinit Goldschmidt, Kryetar i Konferencës Rabinike Europiane. Në këtë letër unë bëj thirrje për një deklaratë të përbashkët: një lutje të qartë

• për lirimin e të gjithë pengjeve,

• për ndalimin e luftës,

• për dhënien e menjëhershme të ndihmës humanitare,

• për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të konfliktit në Tokën e Shenjtë,

• për një zgjidhje me dy shtete,

• dhe për të luftuar së bashku antisemitizmin dhe islamofobinë në Gjermani.

Një zë i bashkuar nga të gjitha fetë kundër të gjitha formave të urrejtjes është vendimtar sot për t’u dhënë njerëzve në vendin tonë mbështetje dhe orientim. Fakti që miliona njerëz kërcënohen nga varfëria dhe uria – në mes të prosperitetit global – është i papranueshëm. Për t’u siguruar që vuajtjet e të prekurve të marrin fund, ne duhet të bëjmë më shumë. Jam i ndërgjegjshëm që ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha problemet me anë të kësaj gjëje, por ky është pikërisht zëri që shumica e njerëzve në vendin tonë duan të dëgjojnë.

Në rrëfimet hebrejo-myslimane përcillet se mbreti Nimrod donte ta hidhte profetin Ibrahim, apo Abraham, në një furrë të zjarrtë për ta ndëshkuar atë. Në versionin mysliman të kësaj historie, ka dalë një rrëfim metaforik në të cilin thuhet se një milingonë mori një pikë ujë dhe u nis për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar Ibrahimin. Kur milingona u pyet nëse vërtet besonte se mund ta shuante zjarrin e madh me një pikë ujë të vetme, ajo u përgjigj: “Jam e ndërgjegjshme që zjarrin nuk mund ta shuaj, por dua t’u tregoj të gjithëve se nuk qëndrova duarkryq dhe se u përpoqa që të shuaja zjarrin.”

Bijtë e pafajshëm të Abrahamit po vriten sot dhe njerëzit e fuqishëm shpesh nuk arrijnë të tregojnë guximin e një milingone!

Zonja dhe zotërinj,

Fuqia e vërtetë e fesë qëndron në aftësinë e saj për të hapur zemrat dhe për të lidhur njerëzit me njëri-tjetrin. Kjo hapje e zemrës fillon me një fjalë të bukur. Kurani na mëson të argumentojmë me urtësi dhe vetëm me fjalë të bukura dhe, nëse lindin polemika, t’i bëjmë ato në mënyrën më të mirë të mundshme:

ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Fto në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe predikim të bukur dhe lufto kundër tyre në mënyrën më të mirë!” (16:125)

Fjalët ose sloganet që mund të ofendojnë hebrenjtë, të krishterët, njerëzit e besimeve të tjera ose ateistët duhet të refuzohen në çdo formë. Në Kuran, Zoti na jep një mësim të thellë për respektin dhe mëshirën nëpërmjet shembullit të Musait, apo Moisiut, dhe vëllait të tij Harunit, apo Aronit: Edhe kur dy të dërguarit iu dërguan Faraonit, i cili ishte përgjegjës për kalbëzimin e madh në tokë, Zoti rekomandoi që ata të përdornin “fjalë të buta për të diskutuar.”

اذْهَبَا إِلَى فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَى

فَقُولا لَهُ قَوْلا لَّيِّنًا لَّعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَى

“Shkoni të dy te Faraoni, sepse me të vërtetë ai i ka kaluar të gjitha kufijtë e drejtësisë.

Por folni me butësi, që ai të vijë në vete” (20:44).

Ky qëndrim respekti dhe mirësjelljeje – edhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe – është një parim themelor që Kurani na e mëson dhe që duhet të na udhëheqë si njerëz dhe komunitete në botën e sotme. Sepse nuk është ngurtësia, arroganca, fuqia dhe kryelartësia ato që fitojnë zemrat për një kohë të gjatë, por fjala e bukur, përulësia, dashuria dhe humanizmi. Sidomos sot ne kemi nevojë për një retorikë që bashkon dhe jo për një retorikë që përçan, për një gjuhë që promovon të gjitha grupet shoqërore në mënyrë të barabartë dhe nuk përjashton asnjë grup, dhe një trajtesë që gjithashtu lëvdon dhe pranon myslimanët, si grup i margjinalizuar, në vend që t’i stigmatizojë ata parreshtur. Është alarmante sesi fjalët e ashpra dhe përçarëse që përjashtojnë ose zhvlerësojnë “tjetrin” shpesh fitojnë popullaritet. Duhet të pyesim veten: Pse jemi mësuar kaq shumë që të flasim me përbuzje?

“Fjala e bukur” titullohet libri im i ri, i cili do të botohet në fillim të vitit të ardhshëm. Duke hulumtuar për këtë, unë kam ndeshur në një hadith që thotë se Isa ibn Merjem, Isai, i biri i Merjemes, një ditë kaloi pranë një derri dhe i tha: “Shko në paqe!” Kur e pyetën se pse i foli me mirësjellje një derri, ai u përgjigj: “Kam frikë se përndryshe gjuha ime mund të mësohet me fjalët e vrazhda.”

Në të njëjtin libër, lexuesit do të gjejnë edhe këtë hadith: Një herë, kur një kortezh mortor hebre po kalonte nëpër rrugët e Medinës, dhe Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, u ngrit në këmbë për të bërë homazhe për të ndjerin, ai u pyet pse e bëri këtë gjë, ndonëse i ndjeri ishte çifut. Profeti u përgjigj: “A nuk është vallë ai një shpirt që meriton respekt?! A nuk është vallë ai një qenie njerëzore si ju dhe unë?!”

Këta dy shembuj të Jezuit dhe Muhamedit tregojnë qartë se si mund të udhëhiqen njerëzit në drejtimin e duhur. Shqetësimi i Jezuit se gjuha e tij mund të mësohet me fjalë të vrazhda na kujton rëndësinë e gjuhës së mbarsur me respekt dhe me kujdes. Veprimi i Muhamedit që tregoi respekt ndaj një shpirti judaik tregon se vlerësimi për jetën dhe dinjitetin e çdo qenieje njerëzore është thelbësor, pavarësisht nga besimi apo prejardhja.

Sidomos në kohën tonë kur varemi nga njëri-tjetri, ne kemi nevojë për një gjuhë që pasqyron humanitetin. Duke ndjekur këtë rrugë respekti dhe butësie, ne krijojmë një atmosferë që forcon besimin. Në këtë mënyrë i hapim dyert e dialogut dhe i hapim rrugë bashkëjetesës së harmonishme. Arroganca, përjashtimi dhe mbyllja në vetvete, nga ana tjetër, ndërtojnë mure dhe thellojnë ndarjet mes nesh.

Kur flasim për bashkëjetesën, ne duhet të pyesim sinqerisht veten se si flasim me njëri-tjetrin dhe sa të hapur jemi për të dëgjuar me të vërtetë njëri-tjetrin. Paragjykimet, mosbesimi dhe frika mund të kapërcehen vetëm nëse bëjmë një përpjekje serioze për të parë dhe kuptuar siç duhet personin që kemi përballë. Gatishmëria për të bërë një bisedë të hapur – pa paragjykime dhe pa presupozime – hap dyert dhe ndërton ura për të cilat shoqëria jonë ka nevojë urgjente.

Zonja dhe zotërinj,

Gjykoj se të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa toksike janë gjuha dhe ndjesitë në shoqërinë tonë dhe në botën tonë. Ne i dëshmojmë më sytë pasojat e rënda të këtyre ndjesive negative: Antisemitizmi është rritur në atë masë sa që disa qytetarë hebrenj nuk ndihen më të sigurt dhe nuk mund të veshin kipan e tyre apo Yllin e Davidit pa përjetuar frikë. Si myslimanë gjermanë – ose si myslimanë në Gjermani – ne flasim me vendosmëri kundër antisemitizmit dhe kundër prurjes së konflikteve nga rajone të tjera të botës në Gjermani. Ne jemi të përkushtuar për bashkëjetesë paqësore dhe me respekt këtu, ku jemi në shtëpi!

I bëj thirrje të gjithëve: Të mos ndikohen nga veprimet e çmendura të të tjerëve, pavarësisht se ku ndodhin ato në botë – as në lidhje me vetë ne dhe as në lidhje me Islamin. Ashtu si ne nuk e gjykojmë Krishterimin apo Judaizmin nga veprimet e individëve, organizatave apo qeverive që shkaktojnë vuajtje, po ashtu duhet të jetë e qartë se ekstremistët që abuzojnë me Islamin nuk përfaqësojnë Islamin apo myslimanët.

Ne duhet të bashkohemi kundër rrezikut të krisjes shoqërore, kundër ekstremizmit të të gjitha formave, kundër antisemitizmit – i cili me të drejtë është i jashtëligjshëm shoqërisht – kundër islamofobisë – që shpeshherë bëhet shoqërisht e pranueshme – dhe kundër tendencave antidemokratike.

Zonja dhe zotërinj,

Unë prej gati 30 vjetësh punoj si imam në Gjermani dhe mbaj hytbe rregullisht këtu. Në këto tre dekada, unë kam mbajtur rreth 2500 hytbe dhe vaze, duke u fokusuar gjithmonë në një temë qendrore: bashkëjetesa paqësore dhe respekti e pranimi reciprok. Megjithatë, më pushton një ndjenjë e trazuar kur filloj e mendoj nëse situata jonë është përmirësuar sot në krahasim me tridhjetë vjet më parë. Si përfundim i vëzhgimeve të mia, mund të them këtë: Gjatë 30 viteve të fundit, gjithnjë e më shumë myslimanë kanë zhvilluar një identifikim më të fortë me Gjermaninë, ndërsa shoqëria gjermane vazhdon të ketë vështirësi në identifikimin me myslimanët e saj.

Në fakt, është e vështirë që të kuptohet se pse kaq shumë njerëz mendojnë negativisht për Islamin dhe myslimanët, edhe pse vlerat thelbësore të Islamit janë respekti, miqësia, fqinjësia e mirë, mikpritja dhe humanizmi. Një arsye për këtë keqkuptim shpesh qëndron në portretizimin e njëanshëm të Islamit dhe myslimanëve në media dhe në perceptimin publik. Shpesh ngjarjet ekstreme negative theksohen, ndërsa shembujt e shumtë pozitivë dhe kontributet e myslimanëve për të mirën e përbashkët marrin vëmendje të vogël.

Përveç kësaj, shumë njerëz janë vetëm sipërfaqësisht të informuar ose janë plotësisht të painformuar për mësimet e Islamit dhe e ndërtojnë imazhin që ata kanë nga citate të izoluara të nxjerra jashtë kontekstit ose përfaqësime ekstremiste që nuk pasqyrojnë tharmin dhe vlerat e vërteta të Islamit. Mungesa e takimeve dhe mundësive për dialog shpesh përforcon paragjykimet dhe siguron që imazhet e rreme të vazhdojnë të buisin.

Sipas një studimi të fundit të publikuar dhjetë ditë më parë, një në dy njerëz me besim mysliman në Bashkimin Europian përballet me racizëm dhe diskriminim në jetën e përditshme – një shifër kjo që është rritur ndjeshëm që nga viti 2016. Gratë, burrat dhe fëmijët myslimanë janë në shënjestër jo vetëm për shkak të fesë së tyre, por edhe për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes së tyre etnike ose për shkak se janë emigrantë. Të rinjtë myslimanë të lindur në BE dhe gratë që mbartin veshje fetare janë veçanërisht të prekur. Pothuajse gjysma e myslimanëve (47%) përjetojnë diskriminim racor. Në vitin 2016 kjo shifër ishte 39%. Nga 13 vendet e marra në shqyrtim, Austria (71%) dhe Gjermania (68%) janë në krye. Këto gjetje vijnë nga raporti i fundit i Agjencisë së Bashkimit Europian për të Drejtat Themelore (FRA).

Komisionerja federale kundër diskriminimit në Gjermani, znj. Ataman, ka thënë: “Armiqësia kundër myslimanëve ka arritur një nivel kaq alarmues sa që ne duhet të reagojmë sot, megjithatë, unë nuk kam dëgjuar ndonjë deklaratë nga Kancelari apo nga Kryeministri i Bavarisë”. A nuk janë këto zhvillime dramatike anti-myslimane në vendin tonë arsye për të mbajtur një qëndrim publik? Si qytetarë myslimanë në këtë vend, a nuk jemi të denjë që politikanët të ngrenë zërin për ne? Një angazhim publik i qartë nga politikanët për të mbrojtur në mënyrë aktive të drejtat dhe mirëqenien e qytetarëve myslimanë do të ishte një sinjal i fortë kundër përjashtimit dhe në favor të solidaritetit.

Përkundër prirjes së mbrapshtë që na shtyn ne myslimanët të jemi të trishtuar dhe të zhytemi në mendime, imamët inkurajojnë besimtarët myslimanë në çdo hytbe të xhumasë që të mendojnë pozitivisht, që të mos e humbasin shpresën dhe që të punojnë më shumë për këtë vend. Është thelbësore që ne të mos dorëzohemi, por të promovojmë në mënyrë aktive diversitetin dhe të marrim përgjegjësi si pjesë e një shoqërie demokratike. Është edhe më e rëndësishme për ne myslimanët që ne si myslimanë të vazhdojmë të ndërtojmë ura dhe të japim me anë të shembullit tonë frymën e vërtetë e respektuese të Islamit përmes dialogut, edukimit dhe veprimeve tona të përditshme. Kjo është mënyra e vetme për të krijuar një kuptim të thellë dhe të diferencuar të fesë që thyen paragjykimet dhe promovon hapjen.

E ardhmja e bashkëjetesës në vendin tonë varet shumë nga mënyra se si ne si shoqëri u përgjigjemi këtyre sfidave. Vendimtare ka për të qenë se si do të ndërtojmë ura dhe jo mure. Kjo do të varet gjithashtu nga mënyra se si politika, komunitetet hebraike, kishat dhe mediat do t’i trajtojnë myslimanët: a do t’i pranojnë ata si njerëz dhe partnerë të barabartë, apo do t’i shtyjnë në margjina?

Njerëzit duhet të mësojnë respektin dhe dialogun. E gjithë shoqëria duhet të refuzojë një burim armiqësie që fatkeqësisht është bërë sërish aktual sot: racizmin, antisemitizmin dhe islamofobinë; të gjitha janë qëndrime kriminale dhe nuk duhen toleruar aspak.

Zonja dhe zotërinj,

Në mbyllje të fjalës sime, dua të them sa vijon: Islami, me vlerat e tij shpirtërore dhe shoqërore, pasuron të mirën e përbashkët në Gjermani dhe forcon demokracinë. U takon politikanëve ta pranojnë këtë dhe të zgjasin dorën e tyre për të bashkëpunuar me myslimanët. Fatkeqësisht, shpeshherë ka mungesë vullneti në mesin e përfaqësuesve më të lartë politikë për të mbështetur forcat konstruktive myslimane. Kjo ndjenjë e përjashtimit bën që myslimanët të tërhiqen më tej dhe të zhvendosen në botë paralele. Një zhvillim i tillë jo vetëm që është problematik për myslimanët, por gjithashtu e rëndon edhe politikën dhe demokracinë. Prandaj është thelbësore që të gjitha fetë të respektohen dhe promovohen në mënyrë të barabartë për të siguruar bashkëjetesë të drejtë dhe paqësore.

Për më tepër, ne nuk duhet të nënvlerësojmë potencialin e bashkëqytetareve dhe bashkëqytetarëve myslimanë në Gjermani, veçanërisht në lidhje me rolin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Nuk ka dyshim se takimi i përbashkët i feve në Gjermani është një nga ngjarjet më interesante dhe më konkurruese në historinë e vendit tonë. Ajo që është e rëndësishme këtu është fakti se Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, si dhe botëkuptimet e tjera të ndryshme, nuk mund të shpërfillin më njëri-tjetrin, por duhet të mbështeten tek njëri-tjetri në kuptimin e vetë-reflektimit. Paragjykimet ekzistojnë nga të gjitha anët dhe çojnë lehtë në mosrespektim dhe në sjellje të mbrapshtë. Të gjithë së bashku duhet ta kapërcejmë këtë. Opinionet e ndryshme nuk mund të jenë pengesë për zhvillimin e vlerave të përbashkëta: jetoni në pluralitet dhe konkurroni në gjëra të mira, thotë Kurani:

لِكُلٍّ جَعَلْنَا مِنكُمْ شِرْعَةً وَمِنْهَاجًا وَلَوْ شَاء اللَّهُ لَجَعَلَكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَكِن لِّيَبْلُوَكُمْ فِي مَا آتَاكُم

فَاسْتَبِقُوا الْخَيْرَاتِ إِلَى اللَّه مَرْجِعُكُمْ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ فِيهِ تَخْتَلِفُونَ

“Për secilin prej jush Ne kemi përcaktuar udhëzime dhe një udhë të qartë. Dhe sikur të kishte dashur Zoti, do t’ju kishte bërë një bashkësi të vetme. Por Ai donte t’ju provonte në gjithçka që ju ka dhënë. Prandaj duhet të konkurroni për gjëra të mira. Te Zoti do të ktheheni të gjithë; e pastaj Ai do t’jua bëjë të ditura gjërat për të cilat patët kundërshti.” (5:48)

Siç thuhet në këtë ajet kuranor, dallimet duhet të jenë një motivim për të konkurruar për mirë. Nuk mund dhe nuk duhet të ndajmë të njëjtin mendim. Ajo çka ne mund dhe duhet të bëjmë, megjithatë, është të duam besimet tona dhe të respektojmë të tjerët.

Zonja dhe zotërinj,

Materializmi, kriza ekonomike, egoizmi, luftërat, rënia e vlerave fetare dhe njerëzore nuk e bëjnë të lehtë që komunitetet fetare që të marrin një rol udhëheqës në shoqëri. Megjithatë, asnjëra nga këto nuk është arsye për dorëheqje. Duke aktivizuar të mirën që mund të gjendet tek secili dhe duke i motivuar individët të ngrihen për ligjin dhe drejtësinë dhe kundër ksenofobisë, fetë mund të luajnë sërish një rol vendimtar në shoqëri.

Të jetuarit së bashku, sikurse e kuptoj unë nga këndvështrimi i Islamit, bazohet në vlerat e respektit, mëshirës, përgjegjësisë ndaj njëri-tjetrit dhe afirmimit të Ligjit Themeltar, apo Kushtetutës, si bazë e përbashkët e bashkëjetesës sonë. Besimi dhe dhembshuria jo vetëm që duhet të kenë një efekt të brendshëm, por duhet të rrezatojnë nga jashtë dhe të jetohen në mënyrë të gjallë.

Motrat dhe vëllezërit e mi të dashur,

E përfundoj fjalimin tim me të njëjtin ajet me të cilin unë dhe të gjithë imamët i përfundojmë hutbet e xhumasë:

إِنَّ اللَّهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالإِحْسَانِ وَإِيتَاء ذِي الْقُرْبَى وَيَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاء وَالْمُنكَرِ وَالْبَغْيِ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ

“Zoti urdhëron drejtësinë, të bërit mirë dhe të qenit bujar ndaj njerëzve të tjerë; dhe Ai ndalon gjithçka që është e turpshme dhe e përdhunë. Ai ju këshillon. Ndoshta ju do të t’ju tërhiqet vërejtja! (16:90)

LE TË LUTEMI!

Lëvduar qofsh ti, o Perëndi, o Zoti ynë, o Zoti i botës.

Ti je Mëshirues, i Mëshirshëm.

Ti je streha jonë e vetme.

Sot ne qëndrojmë para Teje së bashku dhe vajtojmë për pafuqinë tonë.

Ne ndihemi të pafuqishëm, por jo të pashpresë.

Ty të falenderojmë për çdo moment të bukur që na ke dhuruar.

Falënderimi ynë na forcoftë dhe na përkujtoftë

se edhe në kohë të vështira na rrethon mirësia Jote.

Na udhëhiq në rrugën e paqes dhe unitetit,

në mënyrë që të qëndrojmë së bashku si komunitet,

duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke jetuar vlerat e dhembshurisë dhe mëshirës.

Qofshin zemrat tona të hapura për nevojat e atyre që na rrethojnë,

dhe le të gjejmë ne forcën për të vënë në vend drejtësinë dhe mirëkuptimin.

Ne Ty të lutemi për mençuri,

Që të ndërmarrim hapat e duhur në këtë kohë sfiduese,

dhe që të na japësh guximin për të promovuar të mirën dhe për të luftuar të keqen.

Le të mos biem në dyshim e dëshpërim,

por të jetojmë me shpresën e një të nesërmeje më të mirë.

Bëj që njerëzit të jetojnë me respekt dhe dinjitet të ndërsjellë.

I dashur Zot,

Sot jemi të gjithë një zë, dhe shqiptojmë një lutje për një botë,

ku askush nuk duhet të ketë frikë për jetën e tij,

ku askush nuk detyrohet të largohet nga atdheu i tij,

ku asnjë nënë nuk vuan nga humbja e fëmijës së saj,

dhe ku njerëzit nuk bëhen instrumente të shkatërrimit të jetës.

Ki mëshirë për viktimat e pafajshme dhe për të gjithë

që vuajnë në kushtet më të vështira.

Le të veprojmë me dhembshuri dhe solidaritet,

për të lehtësuar vuajtjet dhe për të sjellë paqen.

Mëshira Jote u mbërriftë të gjithë atyre që kanë nevojë,

dhe urtësia Jote le të na udhëheqë,

në mënyrë që të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit.

Lindtë shpresa për të nesërmen nga ky takim i sotëm!

Amin!

Më poshtë mund ta shtypni vegzën për fjalimin gjermanisht të imamit, Dr. Benjamin Idriz:

MARKETING