Finlanda tërhiqet nga Konventa e Otavës, rrit shpenzimet e mbrojtjes për shkak të Rusisë

Finlanda tërhiqet nga Konventa e Otavës, rrit shpenzimet e mbrojtjes për shkak të Rusisë

Presidenti finlandez, Alexander Stubb tha se Finlanda do të tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare e Konventës së Otavës dhe do të shpenzojë 3% të PBB-së për mbrojtje.

Në një postim në X, ai shkruan se vendi i tij do të përgatisë tërheqjen e tij nga konventa.

“Vendimi bazohet në një vlerësim të plotë nga ministritë përkatëse dhe forcat e mbrojtjes. Finlanda është e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj ndërkombëtare në lidhje me përdorimin e përgjegjshëm të minave”, shtoi ai.

Konventa e Otavës, që nga viti 1997, është vënë nën presion për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, veçanërisht në vendet fqinje me Rusinë. Në mars, Polonia dhe tre vendet baltike njoftuan se do të tërhiqen nga konventa ndërkombëtare.

Kujtomë se Finlanda ndan një kufi prej 1340 kilometrash me Rusinë. Stubb tha gjithashtu se Helsinki do të shpenzojë 3% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2029, krahasuar me 2.4% në 2024. Kjo është më shumë se objektivi aktual i NATO-s prej 2%, që pritet të rritet gjatë samitit të qershorit në Hagë.

“Kjo është pjesë e kontributit të Finlandës për një Evropë që po merr më shumë përgjegjësi për mbrojtjen tonë”, tha presidenti finlandez.

Gjatë fundjavës, Stubb bëri një udhëtim të papritur, jozyrtar në Florida dhe foli me presidentin e SHBA, Donald Trump për luftën në Ukrainë.

 

MARKETING