Fillon debati për ribalancimin e dytë të Buxhetit, dorëzohen 124 amendamente
Ka nisur debati për amendamentet e ribalancimit të dytë të Buxhetit, për të cilin janë dorëzuar gjithsej 124 amendamente. Ato do të shqyrtohen në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet.
Sipas Ministrisë së Financave, ribalancimi i dytë i Buxhetit është bërë në përgjigje të situatës aktuale gjeopolitike, me qëllim që të sigurohet përmbushja në kohë e të gjitha detyrimeve të rregullta.
Me rishikimin e ri, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 374,2 miliardë denarë, ose rreth 5,3 miliardë denarë më pak krahasuar me projeksionet e mëparshme.
Pjesa më e madhe e korrigjimit të të ardhurave lidhet me akcizat, të cilat janë rishikuar nga 34,1 miliardë në 30,4 miliardë denarë.
Ndërkohë, deficiti buxhetor mbetet në nivelin prej 46,3 miliardë denarësh, që përbën 4,1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sa u përket shpenzimeve, Ministria e Financave thekson se rishikimi po bëhet në përputhje me parimet e përgjegjësisë dhe disiplinës fiskale.
Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në 420,5 miliardë denarë, që paraqet një ulje prej 5,3 miliardë denarësh krahasuar me projeksionet e mëparshme.
Amendamentet e dorëzuara pritet të shqyrtohen në Komisionin parlamentar për Financim dhe Buxhet, ku do të zhvillohet debati për ndryshimet e propozuara në buxhetin e shtetit.

