Filipçe: Votimi elektronik i diasporës mund të vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve

Filipçe: Votimi elektronik i diasporës mund të vë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për votimin elektronik të diasporës, duke vlerësuar se një model i tillë mund të cenojë legjitimitetin e procesit zgjedhor.

Në një konferencë për media, Filipçe kritikoi propozimin që, sipas tij, mbështetet nga kryeministri Hristijan Mickoski, duke thënë se votimi elektronik i diasporës nuk përputhet me standardet evropiane dhe demokratike.

“Ky model i votimit elektronik për diasporën nuk është as evropian dhe as demokratik. Nuk dihet saktësisht sa qytetarë përfshin diaspora – nëse janë 100 mijë apo 200 mijë votues – ndërsa një sistem i tillë hap mundësi për keqpërdorime, votim të kontrolluar dhe që një person të votojë në emër të disa të tjerëve”, deklaroi Filipçe.

Ai gjithashtu rikujtoi se propozimi vjen nga një parti që, sipas tij, ka pasur probleme me proceset zgjedhore në të kaluarën.

“Duhet ta kujtojmë opinionin se një ligj i tillë propozohet nga një parti e cila ka qenë objekt kritikash për keqpërdorime të procesit zgjedhor. Pse ta ekspozojmë shtetin ndaj një rreziku të tillë? Çfarë ndodh nëse sistemi elektronik sulmohet ose komprometohet një ose dy ditë para zgjedhjeve, apo edhe ditën e votimit? Si do të garantojmë që zgjedhjet janë legjitime?”, u shpreh Filipçe.

Propozimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përfshirë mundësinë e votimit elektronik të diasporës, ka nxitur debat politik ndërmjet partive në pushtet dhe opozitës.

MARKETING