Filipçe: VMRO-DPMNE po poshtëron punëtorët dhe ka ulur standardin e jetesës së qytetarëve

Filipçe: VMRO-DPMNE po poshtëron punëtorët dhe ka ulur standardin e jetesës së qytetarëve

“Mickoski dhe VMRO-DPMNE kanë poshtëruar punën e punëtorëve dhe kanë ulur standardin e jetesës për qytetarët. Me një buxhet të ri prej 6 miliardë eurosh për këtë vit, është e papranueshme që të mos ketë mjete për rritjen e pagave për punëtorët,” deklaroi kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, gjatë konferencës për zgjedhjen e presidentit dhe anëtarëve të Bordit Ekzekutiv dhe Mbikëqyrës të Organizatës Komunale të LSDM-së, në të cilën mori pjesë së bashku me nënkryetarin e LSDM-së, Mende Ilievski.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Filipçe theksoi se VMRO-ja, në vend që të vazhdonte sistemin e rritjes së pagave të implementuar nga qeveria e LSDM-së, e ndërpreu atë në mënyrë të papërgjegjshme.

“Qeveria e ka braktisur plotësisht sistemin e rritjes së pagave, të cilin e kishte vendosur LSDM-ja, dhe si rezultat, standardi jetësor i punëtorëve është përkeqësuar. Qytetarët tashmë e perceptojnë këtë qartë. LSDM-ja ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në anën e punëtorëve. Gjatë shtatë viteve të fundit, si qeveri, jemi ballafaquar me disa nga krizat më të rënda globale, përfshirë një pandemi të paprecedentë dhe një krizë ekonomike dhe energjitike. Por, edhe në këto kushte të vështira, qeveria e LSDM-së nuk i harroi punëtorët, dhe pagat u rritën, madje edhe gjatë krizave. Ne vazhdimisht kemi punuar për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, veçanërisht për punëtorët. Qeveria e LSDM-së, për herë të parë, e rriti pagën minimale në vend me 100 për qind krahasuar me vitin 2016, duke arritur në 22.567 denarë, ndërsa neto paga mesatare mujore u rrit nga 22.460 denarë në 42.000 denarë,” theksoi Filipçe.

MARKETING