Filipçe: Rrëfimi për destabilizim më gjasë është dakorduar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së

Filipçe: Rrëfimi për destabilizim më gjasë është dakorduar midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së

Në aspekt politik VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së u përshtaten narrativet e konfliktit ndëretnik dhe destabilizimit, si dhe ZNAM-it të cilët janë tërësisht të margjinalizuar në qeveri dhe kanë mundësi të ringjallin narrativen e tyre nacionaliste, thotë kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në intervistën për të përjavshmen “Fokus”.

“Çfarë do të bëjë BDI dhe cilat janë planet e tyre është punë e tyre dhe vendim politik i tyre. Nëse institucionet kanë ndonjë informacion për prishje të stabilitetit të shtetit, duhet të veprojnë menjëherë, por shohim që kjo nuk po ndodh. Përveç konferencave të përditshme për media të VMRO-DPMNE-së, as Mickoski dhe as dikush tjetër nga pushteti nuk kanë filluar hetime dhe nuk kanë marrë ndonjë gjë konkrete. Presidentja Siljanovska nuk është aspak e njohur me këto informacione, as Këshilli i Sigurimit nuk është thirrur dhe në mes të të ashtuquajturit destabilizim, kryeministri po shkon me pushime. Unë do të thosha se kjo është sjellje politike jashtëzakonisht e papërgjegjshme e pushtetit, nëse nuk dihet se, megjithatë, kjo është vetëm një taktikë e njohur për manipulim dhe defokusim”, tha Filipçe.

Sipas Filipçes, skenarë të tillë të VMRO-DPMNE-së, do të ndikojnë negativisht në zhvillimin e ekonomisë dhe do të krijojnë frikë dhe konfuzion tek qytetarët.

“Fatkeqësisht, skenarë të tillë sjellin vetëm ngecje në zhvillimin e shtetit, ekonomisë, shumë konfuzion dhe frikë tek qytetarët. Nuk kemi parë asgjë të mirë nga çështjet e pafundme ndëretnike, përveç tensioneve të ngritura dhe regresionit të shtetit. Por është mirë që për dallim nga mandati i mëparshëm i VMRO-DPMNE-së, tash qytetarët dhe opinioni profesional i njohin shumë herët të njëjtat taktika dhe kështu efekti i tyre është i dobët”, thotë Filipçe.

MARKETING