FIFA heq foton promovuese të futbollistit të Al Ahly për shkak të byzylykut ‘Liri për Palestinën’

FIFA heq foton promovuese të futbollistit të Al Ahly për shkak të byzylykut ‘Liri për Palestinën’

FIFA ka vendosur të heqë fotot promovuese të futbollistit të Al Ahly, Hussein el Shahat, përpara ndeshjes së Kupës së Botës për Klube kundër Inter Miami.

MARKETING

Shkaku ishte një byzylyk që El Shahat mbante në dorë, ku shkruhej “Palestina e Lirë”. Organi qeverisës i futbollit botëror reagoi menjëherë duke e larguar imazhin dhe duke e fshirë mesazhin nga materialet zyrtare.

Ky veprim ka ngjallur zemërim të madh në opinionin publik egjiptian, ku tifozët e kanë quajtur një akt të turpshëm dhe të papranueshëm nga FIFA.

Shumë prej tyre kanë akuzuar organizatën se jo vetëm që hesht për atë që po ndodh në Gaza, por edhe përpiqet të heshtë zërat që ngrenë shqetësime humane dhe politike.

Për ta, ky veprim i FIFA-s përfaqëson një qëndrim të njëanshëm dhe të padrejtë, që nuk përputhet me vlerat universale të lirisë së shprehjes dhe ndërgjegjes.

Ndërkohë, ndeshja e Al Ahly kundër Inter Miami përfundoi pa gola, me rezultatin 0:0, në një përballje të luftuar në fushën e lojës.

Skuadra egjiptiane ishte më pranë fitores, por portieri Oscar Ustari priti penalltinë e Mahmoud Trezeguet në fund të pjesës së parë.

 

MARKETING