Ferati: Alfabeti shqip, simbol i bashkimit dhe përgjegjësisë për brezat e ardhshëm

Ferati: Alfabeti shqip, simbol i bashkimit dhe përgjegjësisë për brezat e ardhshëm

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, sot hapi aktivitetin e organizuar në Qendrën Informative Kulturore (QIK), me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe festave të Nëntorit, ku u ndanë pllakatë mirënjohjeje për mësimdhënësit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ferati theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të Ditës së Alfabetit, duke nënvizuar se kjo datë nuk shënon vetëm një ngjarje të rëndësishme në historinë e gjuhës shqipe, por edhe një moment të jashtëzakonshëm të bashkimit të shqiptarëve përmes gjuhës, dijes dhe kulturës.

Ai rikujtoi se Kongresi i Manastirit dëshmoi se, pavarësisht dallimeve në bindje, prejardhje dhe pikëpamje, intelektualët shqiptarë arritën të bashkoheshin rreth një qëllimi të përbashkët: sigurimit të së ardhmes së gjuhës shqipe dhe brezave që do ta trashëgonin atë.

„Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e asaj ngjarjeje. Ata nuk menduan vetëm për kohën në të cilën jetonin, por për brezat që do të vinin pas tyre“, theksoi Ferati.

Një vëmendje të veçantë në fjalimin e tij ministri ia kushtoi edhe veteranëve të arsimit shqip, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tyre shumëvjeçar në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të tëra.

Ai vlerësoi se puna dhe përkushtimi i tyre kanë qenë thelbësore për avancimin e arsimit shqip dhe për mundësinë që sot të flitet për institucione, shtet, integrim dhe perspektivë evropiane.

„Sot jemi mirënjohës edhe për veprimtarinë tuaj si veteranë të arsimit shqip, për atë që shkolluat gjenerata e gjenerata dhe na mundësuat sot të flasim për shtet, për institucione, për Bashkimin Evropian, për integrim etj.“, u shpreh Ferati.

Në fund, ministri përcolli urimet për të gjithë qytetarët me rastin e festave të Nëntorit dhe Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

„Urime Festat e Nëntorit, urime Ditën e Alfabetit Shqip!“, përfundoi Ferati.

MARKETING