Eskobar: Presim që Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane

Eskobar: Presim që Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane

Presim që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën evropiane, deklaroi zëvendës-ndihmës sekretari në largim dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në intevistën onlajn për Qendrën evropiane të Këshillit atlantik.

Eskobar, gjatë bisedës për rolin e SHBA-së në kushte të sfidave të Ballkanit Perëndimor, është pyetur nëse pas fitores së VMRO-DPMNE-së dhe shqetësimit të rritur për Marrëveshjen e Prespës, ende besojnë se rruga drejt Evropës do të vazhdojë, siç dekalroi në ditën ditën e zgjedhjeve, transmeton Zëri i Amerikës.“Po. Mendoj se Evropa dhe SHBA-ja ia bënë shumë të qartë qëndrimin presidentit pas inaugurimit se ne presim plotësisht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën e saj evropiane, të angazhohet, të vazhdojë të jetë një anëtare e përkushtuar e NATO-s, dhe më besoni, ata janë një anëtar i përkushtuar i NATO-s. Dhe morëm garanci nga të gjitha nivelet e kryesisë partiake të partisë kryesore (VMRO-DPMNE) që fitoi zgjedhjet, se do të mbeten të përkushtuar në rrugën evropiane”, u përgjigj Eskobar. Ai tha se me të vërtetë, “ekziston një realizëm gjithnjë e më i madh se nuk ka alternativë tjetër”. “Kështu, mendoj se do të shohim dhe shpresoj se do të shikojmë që kjo rrugë të jetë qëllimi kryesor politik i qeverisë së re”, tha Eskobar.

Greqia u kërcënua se do ta ndërlidh progresin e shteteve drejt BE-së me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht me përdorimin e emrit kushtetues të vendit, pasi që presidentja Gordana Siljanovska – Davkova tha Maqedonia, e jo Maqedonia e Veriut, gjatë betimit të inaugurimit për presidente.

Kabineti i Siljanovska-Davkova njoftoi menjëherë pas inaugurimit se presidentja do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues, “por në daljet e saj publike ajo ka të drejtë të përdorë Maqedoninë si akt të së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe sipas vlerave dhe parimeve evropiane”.

Për Athinën zyrtare, hapi i Siljanovskës është shkelja e Marrëveshjes së Prespës.

Nga ana tjetër, kryeministri grek Kiriakos Micotakis kërcënoi se Greqia nuk do të ratifikojë memorandumet që dalin nga Marrëveshja e Prespës, nëse nuk respektohet nga qeveria e re.

Departamenti i Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase nëse SHBA-ja do t’i bëjnë thirrje Greqisë që të votojë për memorandumet, pasi i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut që të respektojë marrëveshjen, tha se “SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”.

Nga Zyra e shtypit e Departamentit të Shtetit thanë se ndërsa formohet qeveria e re dhe zgjidhet kryeministri, SHBA-ja do të vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e respektimit të “marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”.

 

MARKETING