Erdoğan: Turqia do ta vazhdojë bashkëpunimin me Gjermaninë për çështjet rajonale
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha sot se Türkiye do ta vazhdojë të bashkëpunojë me Gjermaninë për çështjet rajonale, duke përfshirë Sirinë, Gazën dhe luftën në Ukrainë, raporton Anadolu.
Një paqe dhe prosperitet i qëndrueshëm në Siri, ku një administratë e re ka marrë udhëheqjen pas rënies së regjimit të Bashar Asadit në dhjetor, është “dëshirë e të gjithëve ne”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij vizitues gjerman Frank-Walter Steinmeier në kryeqytetin Ankara.
Ai tha se ruajtja e armëpushimit në Gaza, i cili hyri në fuqi më 19 janar, kërkon përgjegjësi kolektive dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të këmbëngulë në përpjekjet drejt një zgjidhjeje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez.
Duke folur për islamofobinë në Evropë, ai tha: “Vërejmë rritje të akteve dhe retorikës së ksenofobisë, racizmit dhe islamofobisë në Evropë. Kjo shqetëson gjithashtu komunitetin turk”.
Nga ana e tij, Steinmeier tha se Gjermania ka një interes të përbashkët me Türkiyen për vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajon, duke theksuar se Ankaraja është një aktor i rëndësishëm në këtë proces.
Duke komentuar propozimet e presidentit amerikan Donald Trump për të dëbuar palestinezët nga Gaza në vende si Jordania dhe Egjipti, Steinmeier tha se këto sugjerime shkaktojnë shqetësim të madh dhe janë të papranueshme sipas ligjit ndërkombëtar.