Erdoğan: Tregtia dypalëshe Türkiye-EBA do të arrijë në 25 miliardë dollarë në pesë vjet

Erdoğan: Tregtia dypalëshe Türkiye-EBA do të arrijë në 25 miliardë dollarë në pesë vjet

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vëllimi i tregtisë midis vendit të tij dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) do të arrijë në 25 miliardë dollarë në pesë vjet falë Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Partneritetit Ekonomik të nënshkruar midis dy vendeve, raporton Anadolu.

Duke folur përmes video-lidhjes në ceremoninë e nënshkrimit, presidenti Erdoğan theksoi se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve do të hyjnë në një fazë të re me nënshkrimin e marrëveshjes.

Marrëdhëniet 50-vjeçare Türkiye-EBA bazohen në themele të forta, tha Erdoğan, duke shtuar: “Falë marrëveshjes, barrierat për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve do të hiqen dhe aktivitetet e investitorëve dhe sipërmarrësve tanë do të lehtësohen”.

“Në këtë mënyrë, ne do të ndërtojmë një urë ekonomike që shtrihet nga Evropa në Afrikën e Veriut, nga Rusia në Gjirin Persik, mbi themele të forta”, theksoi ai.

Gjithashtu, Erdoğan shprehu mirënjohjen e tij për Emiratet e Bashkuara Arabe për mbështetjen e ofruar pas tërmeteve të 6 shkurtit që goditën pjesën jugore të Türkiye-s.

“Kombi turk nuk do ta harrojë kurrë dorën e sqatur të ndihmës”, shtoi ai.

Më shumë se 45 mijë njerëz humbën jetën nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të 6 shkurtit. Tërmetet, me qendër në provincën Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 11 provinca.

 

MARKETING