Erdoğan përshëndet propozimin e armëpushimit të pranuar nga Hamasi, pret që Izraeli të ndërmarrë të njëjtin hap

Erdoğan përshëndet propozimin e armëpushimit të pranuar nga Hamasi, pret që Izraeli të ndërmarrë të njëjtin hap

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij përshëndet njoftimin e grupit palestinez Hamas për pranimin e propozimit për armëpushim, duke shtuar se pret që të njëjtin hap të ndërmarrë edhe Izraeli, raporton Anadolu.

“Ne përshëndesim njoftimin e Hamasit se pranoi një marrëveshje armëpushimi në Gaza me përpjekjet tona dhe i njëjti hap duhet të ndërmerret nga Izraeli”, tha presidenti Erdoğan.

Erdoğan gjithashtu u kërkoi “aktorëve perëndimor” të bëjnë presion ndaj qeverisë izraelite për të pranuar marrëveshjen e armëpushimit.

Türkiye ka bërë presion në mënyrë të përsëritur për një armëpushim në Gaza që nga ditët e para të konfliktit rreth shtatë muaj më parë dhe u ka bërë thirrje të gjitha vendeve në mbarë botën që të ndihmojnë për të arritur një marrëveshje.

Erdoğan gjithashtu përsëriti vendosmërinë e Türkiyes për të luftuar terrorizmin në rajon “derisa të thajmë kënetën e terrorizmit në Irakun verior”, duke iu referuar pranisë së PKK-së terroriste atje.

Duke iu referuar degës siriane të PKK-së, respektivisht YPG/PKK-së, presidenti turk tha se, “Ne do ta përfundojmë punën tonë në Sirinë (veriore) kur të vijë koha, pavarësisht premtimeve të pa mbajtura të aleatëve tanë. Ne do t’i japim një goditje organizatës separatiste. Për sa kohë PKK-ja gjen një litar shpëtimi në Irak dhe Siri, ne nuk do të ndihemi të sigurt”.

Në fushatën e saj terroriste pothuajse 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës në shenjë hakmarrje për një sulm ndërkufitar më 7 tetor nga Hamasi kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz. Që atëherë, të paktën 34.700 palestinezë janë vrarë në Gaza, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe 78 mijë të tjerë janë plagosur.

Pothuajse shtatë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja, sipas OKB-së, duke çuar në zhvendosje të brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët atje.

MARKETING