Erdoğan: Inteligjenca turke do ta monitorojë nga afër shpërbërjen e PKK-së

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, theksoi rëndësinë e zbatimit të premtimit për shpërbërjen e grupit terrorist PKK, raporton Anadolu.
MARKETING
“Ajo që ka vërtet rëndësi është zbatimi. Organizata jonë Kombëtare e Inteligjencës (MIT) do të monitorojë nga afër nëse premtimet mbahen”, tha Erdoğan në një takim të grupit parlamentar të partisë së tij.
Me njoftimin e vendimit të grupit terrorist PKK për t’u shpërbërë dhe për të dorëzuar armët, kemi hyrë në një fazë të re në përpjekjet për një “Turqi pa terrorizëm”, tha Erdoğan.
“Epoka e terrorizmit, armëve, dhunës dhe ilegalitetit tani ka marrë fund”, thekson ai.
“Është me rëndësi jetike që degët e grupit terrorist në Siri dhe Evropë t’i njohin këto realitete dhe t’i bashkohen procesit të shpërbërjes dhe çarmatimit”, shtoi Erdoğan duke iu referuar PKK/YPG-së në Siri, ndër degët e tjera terroriste të PKK-së.
-Turqia, qendër e diplomacisë së paqes
Duke folur mbi nismat e Turqisë për të siguruar paqen në gjithë botën, Erdoğan tha: “Ne po kontribuojmë në mënyrë aktive në përpjekjet për paqe në rajonin tonë dhe më gjerë. Sot, vendi ynë është bërë një nga qendrat e diplomacisë së paqes”.
Ai gjithashtu falënderoi presidentin e SHBA-së Donald Trump për njoftimin se do të heqë sanksionet ndaj Sirisë.
“Besoj në mbështetjen e mikut tim Trump ndaj përpjekjeve tona për t’i dhënë fund tragjedisë humanitare në Gaza, e cila tani ka arritur nivelin e brutalitetit”, tha Erdoğan.