Ende nuk ka arritur kulmi i gripit, rastet po rriten me shpejtësi në Maqedoni
Numri i të prekurve nga gripi dhe sëmundjet e ngjashme me gripin në vend ka shënuar rritje të konsiderueshme. Brenda vetëm një jave janë regjistruar pothuajse dyfish më shumë raste, ndërsa numri më i madh i të prekurve është në Tetovë. Megjithatë, sipas institucioneve kompetente shëndetësore, kulmi i sezonit të gripit ende nuk është arritur.
Sipas raportit më të ri javor të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), në periudhën nga 26 tetori deri më 1 nëntor janë evidentuar 116 raste, ndërsa një javë më parë numri ishte 61. Kjo paraqet rritje prej 90,2 përqind.
Numri më i madh i rasteve të raportuara është në Tetovë, ku janë regjistruar 48 të prekur. Në Kumanovë janë evidentuar 26 raste, në Shkup 13, ndërsa në Prilep dhe Gostivar janë raportuar nga shtatë raste.
Rritja është veçanërisht e theksuar në Tetovë, ku në periudhën paraprake raportuese ishin regjistruar vetëm katër raste. Tetova dhe Kumanova së bashku përbëjnë pothuajse dy të tretat e numrit të përgjithshëm të të prekurve në vend.
Më e përfaqësuar është grupmosha nga 15 deri në 64 vjeç, në të cilën janë regjistruar 84 raste. Te personat mbi 65 vjeç janë evidentuar 25 të prekur, ndërsa shtatë raste janë raportuar te fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.
Rezultatet laboratorike konfirmojnë se virusi i gripit tashmë është i pranishëm në vend. Nga gjithsej 47 mostra të testuara, katër kanë rezultuar pozitive për influencën A, ndërsa në mesin e tyre është identifikuar edhe nëntipi A(H1)pdm09. Në një mostër tjetër është konfirmuar koronavirusi SARS-CoV-2.
Nga ISHP-ja sqarojnë se numri prej 116 rastesh përfshin edhe pacientët me sëmundje të ngjashme me gripin dhe jo vetëm infeksionet e konfirmuara laboratorikisht.
Pavarësisht përhapjes së përshpejtuar, treguesit epidemiologjikë ende janë nën pragun e aktivitetit sezonal. Incidenca aktualisht është 6,3 raste në 100.000 banorë, ndërsa pragu është përcaktuar në 7,32 raste për 100.000 banorë.
Që nga fillimi i sezonit 2026/2027, në vend janë regjistruar gjithsej 343 raste të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin. Prej tyre, 127 janë në rajonin e Tetovës.
Ndërkohë, vazhdon edhe vaksinimi kundër gripit sezonal, i cili filloi më 21 tetor. Deri më tani, vaksinën falas e kanë marrë 11.629 persona nga kategoritë e rrezikuara të popullsisë.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë sërish thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat parandaluese, veçanërisht në periudhën kur pritet rritje e mëtejshme e numrit të të prekurve. Vaksinimi mbetet një nga masat më të rëndësishme mbrojtëse, veçanërisht për personat e moshuar, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punonjësit shëndetësorë.
Ndër rekomandimet janë shmangia e kontakteve të afërta në rast të shfaqjes së simptomave, larja e rregullt e duarve dhe ajrosja e ambienteve. Personat që kanë temperaturë të lartë, kollë, dhimbje muskujsh dhe lodhje të theksuar duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe, nëse gjendja e tyre e kërkon, të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Edhe pse gripi tashmë po përhapet me intensitet më të madh, të dhënat tregojnë se sezoni ende nuk e ka arritur kulmin, çka lë hapësirë që numri i të prekurve të vazhdojë të rritet në periudhën e ardhshme.

