Elisa Spiropali për incidentin në Kumanovë: Thirrjet fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve janë të papranueshme

Elisa Spiropali për incidentin në Kumanovë: Thirrjet fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve janë të papranueshme

Përveç reagimeve të faktorit politikë në vend, mbi incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së baskebollit në Kumanovë, ka reaguar edhe kryeparlamentarja e Republikës së Shqipërisë,
Elisa Spiropali. Sipas saj, gjuha që nxit dhunë dhe konflikt etnik, nuk zë vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport.

Postimi i plotë i kryeparlamentares, Elisa Spiropali:

Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë.

Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit.

Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.

Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.

Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.

Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.

MARKETING