El Clasico i parë në 2024, Reali dhe Barcelona matin forcat në Arabi

El Clasico i parë në 2024, Reali dhe Barcelona matin forcat në Arabi

Reali i Madridit dhe Barcelona vihen sonte përballë në finalen e Superkupës së Spanjës. El Clasico, si gjithmonë pritet të na sjellë emocione magjike, teksa dy rivalët e përjetshëm do të matin forcat, këtë herë në Arabinë Saudite.

Real-Barça asnjëherë nuk mund të konsiderohet një sfidë dosido, pavarësisht rrethanave nga të cilat mund të vijnë skuadrat. Katalanasit janë kampionët në fuqi, ndërkohë që në anën tjetër “Los Blancos” kryesojnë La Ligan së bashku me Gironën, pas 19 javësh.

Skuadra e Ancelottit vjen në këtë përballje disi më e lodhur, për faktin se iu desh që të kalonte rivalët e qytetit, Atletikon e Simeones në mesjavë, vetëm pas kohës shtesë. Në një përballje të zjarrtë e shumë dramatike, që përfundoi 5-3.

Në anën tjetër, Barcelona kaloi Osasunën të enjten, e tashmë kërkon të tregojë dhëmbët ndaj “galaktikëve”. Të cilët në kampionat i shohin 7 pikë më sipër.

Në fillimin e sezonit, Reali arriti që të mundë 1-2 Barcelonën me përmbysje, falë të jashtëzakonshmit Jude Bellingham.

Sa u takon gjendjeve të skuadrave, Federico Valverde pritet të jetë i gatshëm për këtë përballje, ndërkohë që Ancelotti mund të bëjë disa ndryshime në formacion. Për t’i dhënë freski ekipit, veçanërisht mesfushës, pas 120 minutave ndaj Atleticos.

Në krahun tjetër, Raphinha është në dyshim për Barcelonën, pasi u detyrua të largohej në pjesën e parë kundër Osasunës. Pedri bëri rikthimin nga stoli dhe mund të ketë hapësira dhe ndaj Realit, ndërsa Joao Cancelo gjithashtu pretendon të marrë minuta.

 

MARKETING