Duka për median italiane: Nëse shkojmë në finale, e gjithë Shqipëria zbarkon në Gjermani

Duka për median italiane: Nëse shkojmë në finale, e gjithë Shqipëria zbarkon në Gjermani

Italia kampione në fuqi e Europës, do ta nisë Europianin e 2024-ës pikërisht përballë Shqipërisë në “Dortmund, mbrëmjen e 15 qershorit, teksa kreu i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë një intervistë për median italiane, ku ka rrëfyer pritshmëritë jo vetëm për atë takim, por edhe për rrugëtimin e kuqezinjve.

Mes Italisë dhe Shqipërisë ka një raport shumë të ngushtë politik dhe tani vjen një ndeshje futbolli. Një ndeshje e rëndësishme, pasi do të jetë ndeshja e parë e Euro 2024-ës për të dy vendet. Çfarë ndeshjeje do të jetë?
Para së gjithash, për ne është një sukses i madh të jemi në Europian. Kemi bërë një edicion kualifikues të shkëlqyer, duke u renditur të parët dhe tani shorteu na ka sjellë Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Në të vërtetë nuk donim të luanim, pasi kemi raporte shumë të mira, jo vetëm politike, por edhe në futboll. Shumë të rinj shqiptarë luajnë në Italia. Nuk e di nëse e keni si informacion, por në Itali luajnë i njëjti numër fëmijësh shqiptarë, si në Shqipëri. Gjithsesi këtë ndeshje do ta shfrytëzojmë për të forcuar edhe më shumë raportet me Italinë, por për 90 minuta në fushë do të jemi kundërshtarë. E dimë se do të luajmë kundër kampionëve të Europës, e dimë forcën e Italisë, të futbollistëve, të skuadrës italiane. Por edhe neve nuk ka ka dhuruar askush asgjë. Kemi fituar grupin, duke bërë më të mirën e mundshme për të mbërritur në ndeshje të tilla.

Për Shqipërinë do të jetë si një finale…
Të gjitha ndeshjet tona në Europian do të jenë shumë të rëndësishme. Futbollistët duhet ta luajnë këtë ndeshje siç kanë bërë edhe në ndeshjet e tjera si ndaj Polonisë e Çekisë në në eliminatore. Por duhet ta luajmë si një ndeshje si gjithë të tjerat. Normalisht që është shumë e rëndësishme, sepse nëse bëjmë mirë, mund të shkojmë përpara. Nëse jo ,atëherë do të shohim çfarë do të bëjmë ndaj Kroacisë dhe Spanjës. Por është një ndeshje e rëndësishme dhe është shumë bukur që do të luajmë kundër Italisë kampione Europe. Problemi ynë tani është që të gjithë shqiptarët duan të jenë në stadium. Nga momenti që kanë parë shortin, të gjithë duan të jenë në Dortmund për të ndjekur ndeshjen Itali-Shqipëri. Shpresojmë që me tifozerinë të krijojmë një atmosferë pozitive, si ajo e miqësores në Gjenovë.

E prisni që në Dortmund të jenë edhe Rama me Melonin?
Kryeministri shqiptar do të jetë me siguri në stadium, për të ndjekur ndeshjen ndaj Italisë. Ai është një tifoz i madh i skuadrës kombëtare dhe do të jetë në këtë ndeshje. Për Melonin nuk e di, por shpresojmë të jetë edhe ajo.

Si mund t’ia dilni të mposhtni Italinë?
Është shumë e vështirë të mposhtësh Italinë, por ne shpresojmë t’ia dalim. Duhet ta luajmë si një ndeshje normale, sepse nëse vihemi nën presion, do të bëhet e vështirë për ne. Për Italinë është më e lehtë, pasi është skuadër me eksperiencë dhe me lojtarë të fortë. Mbi të gjitha është kampione e Europës, por ka vuajtur pak në kualifikuese.

Italia do të organizojë Europianin 2032 me Turqinë, por është mbrapa me infrastrukturën , me stadiumet. Ndërsa në Shqipëri kemi parë finalen e par ëtë Conference League, në një stadium mjaft të bukur. Si ia keni bërë që të ecni përpara me infrastrukturën?
Infrastruktura është zhvilluar shumë vitet e fundit. Ne kemi këtë stadium në Tiranë, ku u luajt finalja e Conference league. Kemi krijuar një qendër stërvitore të Kombëtares, që ka të gjithë kushtet. Jo aq të madhe sa Coverciano, por ka gjithçka. Kemi krijuar kushtet perfekte për të gjitha skuadrat kombëtare, për të punuar në mënyrën më të mirë, por edhe për të luajtur. Nuk kemi vetëm stadiumin e Tiranës, por kemi nisur punën edhe për ndërtimin e katër stadiumeve të tjerë. Kemi fituar gjithashtu të drejtën për organizimin e Kampionatit Europian U17 në 2025-ën. Jemi duke shfrytëzuar të gjithë burimet tona, duke bërë projektet, pro edhe me ndihmën e qeverisë, kemi bërë disa hapa të rëndësishme përpara.

Ne shohim një Shqipëri që po rritet dhe po luan bukur futboll, por pas gjithë kësaj qëndron një punë shumë e madhe  e bërë në të gjithë drejtimet…
Po, pa organizim, pa infrastrukturën e duhur, nuk mund të bësh asgjë. Pas skuadrës kombëtare ka shumë punë që bëhet. Tifozët shohin vetëm 11 futbollistë në fushë, por bëhet shumë punë për të përgatitur ata djem dhe padyshim një organizim perfekt.

Ju pret  një Europian vërtetë i vështirë, duke parë shortin…
Po, Italia është kampione në fuqi e Europës. Spanja Kampione Bote, Kroacia finaliste e Kupës së Botës. Skuadra shumë të forta, ndoshta nga më të fortat në Europë, por në Europian është e vështirë të gjesh skuadra të dobëta. Janë të gjitha të forta dhe në letër më e dobëta është Shqipëria, që merr pjesë për herë të dytë në histori në finalen e Europianit. Megjithatë edhe neve nuk na ka dhuruar askush, asgjë. Kemi mbërritur këtu falë punës së futbollistëve, me rezultatet që kemi marrë në grup. Duhet të përballemi me kundërshtarët, duke kërkuar të marrim më të mirën e mundshme.

Çfarë mendoni për arbitrat? Mourinho ka bërë jo pak polemika para ndeshjes Sassuolo-Roma…
Unë nuk flas kurrë keq për arbitrat. Jam i bindur që ata kanë një nivel shumë të mirë në Europë, por edhe në Itali. Është normale që të gabojnë, ashtu siç gabojnë edhe futbollistët. Futbolli është një sport gabimesh. Mourinho ka fituar shumë dhe ai është një trajner që bën gjithçka për të arritur rezultatet, përfshi këtu edhe duke shtuar pak presionin te arbitrat.

Nga futbollistët shqiptarë që luajnë në Itali, cili është më i zoti?
Futbollistët tanë që luajnë në Itali, janë të gjithë të zotët, edhe pse ju harruat të përmendnit emrin e Bajramit, që luan te Sassuolo dhe që shënoi një gol shumë të bukur në Çeki. Një lojtar me më shumë perspektivë është Asllani, që luan në një nga skuadrat më të forta në Itali. Është një futbollist shumë i mirë, që ka bërë shumë mirë, duke luajtur të gjitha ndeshjet eliminatore, duke ndihmuar shumë kombëtaren. Shpresoj që të ndihmojë edhe Interin.

A mund të shndërrohet në një Brozovic të ri për Interin?
Nuk mund të bëj paralelizëm me Brozon, pasi Asllani mund të bëjë edhe më mirë. Është vetëm 21 vjeç dhe ka shumë vite përpara për t’u rritur. Luan në një skuadër si Interi, me një trajner si Inzaghi dhe mund të rritet edhe më shumë.

Kush e fiton Europianin?
Shqipëria. Nëse ndodh, e gjithë Shqipëria do të vijë në Gjermani për të ndjekur finalen. Për të qenë i sinqertë, skuadrat e vazos së parë si Anglia, Franca e Portugalia janë favorite. Por finalet e Europianit janë shumë të bukura dhe asnjëherë të parashikueshme. Mund të fitojë edhe Italia, siç ia doli në 2021-shin, ose ndonjë ekip tjetër. Por, siç e thashë, Franca, Portugalia dhe Anglia janë favorite.

 

MARKETING