Duartrokitje dhe lot, Claudio Ranieri mbyll karrierën si trajner

Duartrokitje dhe lot, Claudio Ranieri mbyll karrierën si trajner

Duartrokitje dhe lot në “Unipol Domus” të Cagliarit, aty ku publiku sard dhe jo vetëm, përshëndetën përzemërsisht Claudio Ranierin, trajnerin 72-vjeçar italian, që vendosi të heqë dorë njëherë e mirë nga sporti me të cilin lidhi jetën fillimisht si mbrojtës në fushë e më pas në pankinë.

Sfida Cagliari-Fiorentina ishte e fundit në karrierë për Ranierin, që pati paralajmëruar tërheqjen fill pas sigurimit të mbijetesës në elitën e futbollit italian me klubin sard, teksa publiku i dhuroi një duartrokitje të gjatë, duke emocionuar së tepërmi Ranierin.

“Mirënjohje e përjetshme për një njeri të madh. Faleminderit Mister”, shkruanin tifozët e Cagliarit në një pankartë të shpalosur në tribunë, ku konfirmonin edhe njëherë vlerësimin maksimal për një emër si Claudio Ranieri.

Një karrierë 38-vjeçare për trajnerin e mirënjohur, i cili ka drejtuar plot 20 skuadra të ndryshme, duke nisur nga nivelet e ulëta italiane, për të vijuar me një sërë klubesh të njohura në Serinë A, përfshi edhe emrat më të mëdha si Juventus, Inter e Roma, por edhe eksperienca mjaft pozitive si në Premier League ku fitoi titullin me Leicester në mënyrë surprizë, La Liga, e kampionate të tjera.

Claudio Ranieri numëron plot 1402 ndeshje si trajner dhe shumë suksese, ku më i madhi është padyshim titulli kampion në Angli me Leicester, por edhe në Spanjë me Valencian, ku fitoi Kupën e Mbretit dhe Kupën Intertoto.

 

MARKETING