Dr. Trifunovski: Dhurimi i organeve si vendim tejet i vështirë lë dritë të fuqishme pas vetes

Dr. Trifunovski: Dhurimi i organeve si vendim tejet i vështirë lë dritë të fuqishme pas vetes

Kirurgu-urolog dhe anëtar i ekipit për transplantim, Aleksandar Trifunovski, në kuadër të fushatës kombëtare me moton “Dhurimi i organeve i jep kuptim më të lartë njerëzimit!”, ka apeluar për rritjen e vetëdijes dhe avancimin e organodhënies në vend.

Sipas dr. Trifunovskit, vendimi për dhurimin e organeve është një akt i madh human që ndodh në momentet më të vështira për familjet, por që njëkohësisht mund të shpëtojë jetën e shumë njerëzve.

“Akti i dhurimit të organeve ndodh në momentet më të vështira të jetës së një familjeje. Personi lë mesazh për familjen e tij, ndërsa i jep një mundësi për jetë një personi tjetër apo disa personave. Apeloj për avancimin e organodhënies. Vendimet më të vështira në jetë lënë dritën më të fuqishme pas vetes”, theksoi ai.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, vlerësoi se mesazhet e mjekëve që përballen çdo ditë me pacientë që presin transplantim janë thirrja më e fuqishme për ngritjen e vetëdijes shoqërore mbi rëndësinë e dhurimit të organeve.

“Dhurimi i organeve është një vendim i thellë njerëzor, me të cilin shpresa vazhdon të jetojë. Obligimi ynë si institucione është ta zhvillojmë sistemin, të punojmë për rritjen e besimit dhe të krijojmë një kulturë në të cilën dhurimi i organeve do të njihet si akt solidariteti, empatie dhe respekti më të lartë ndaj jetës”, deklaroi ministri Aliu.

MARKETING