Dogana konfiskoi 5.000 pako cigare me vlerë 9 milionë denarë, u arrestua shoferi i kamionit
Në një aksion të shërbimeve doganore në pikën kufitare Bogorodicë, gjatë kontrollit të një automjeti transportues të deklaruar për transit, janë zbuluar dhe konfiskuar 5.000 pako cigare me vlerë prej 9 milionë denarësh.
Shoferi i kamionit, shtetas i Serbisë, i cili kishte tentuar t’i kontrabandonte cigaret, është arrestuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale “kontrabandë”, njoftoi Drejtoria Doganore.
Sipas njoftimit, kamioni ishte deklaruar për transit nga Greqia drejt Serbisë dhe, sipas dokumentacionit të paraqitur, transportonte materiale ndërtimore – lesh guri.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet doganore zbuluan mbi paletat me mallin e deklaruar 100 kuti të pashënuara, secila me nga 50 pako cigare, përkatësisht gjithsej 5.000 pako cigare pa pulla akcize, të cilat nuk ishin deklaruar.

