Distria Krasniqi kalon në finalen e madhe, synon medaljen e artë në Kampionatin Evropian

Xhudistja jonë, Distria Krasniqi ka kaluar në finalen e madhe në garat deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Evropianit të xhudos që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.
Distria i nisi garat pa luftë në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë apo në fazën e 1/8-tës pati punë me kundërshtaren serbe, Milica Nikolic, të cilën e mposhti pas një dominimi.
Xhudistja pejane ishte e papërmbajtshme edhe në çerekfinale ndaj xhudistes holandeze, Naomi van Krevel, të cilën e mposhti me ippon duke kaluar në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian.
Në gjysmëfinale, pejania përsëri ishte më e mirë, ku kësaj radhe mposhti spanjollen Ariane Toro Soler, gjithashtu me ippon për te siguruar kalimin në finale.
Me këtë kalim në finale, Distria ka siguruar medaljen e argjendtë, por do ta synojë të artën në luftën ndaj rivales së vjetër italiane, Odette Giuffrida.