Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, avokati Mustafa: Mbrojtja ka argumente për ta kundërshtuar vendimin
Avokati Milazim Mustafa në Debat në Shenjam vlerëson se pavarësisht emocioneve pas vendimit të djeshëm, ekziston shpresë që Gjykata e Apelit të marrë një vendim tjetër.
“Ishte një proces shumë i ashpër ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Por ka shpresë që gjykata e apelit të sjellë një vendim tjetër”, tha Mustafa.
Sipas tij, në këtë rast ka argumente juridike dhe pretendime për lëshime procedurale, të cilat, siç tha, ekipet mbrojtëse të katër krerëve të UÇK-së mund t’i shfrytëzojnë gjatë procedurës së apelit. Mustafa theksoi se ekzistojnë edhe raste nga praktika gjyqësore ku vendime të tilla janë ndryshuar në shkallën e dytë.
I pyetur nëse mbrojtja ka bërë punën e duhur duke pasur parasysh dënimet e larta, Mustafa tha se nuk mund ta gjykojë punën e avokatëve mbrojtës. Megjithatë, ai ngriti mundësinë që të ketë munguar një “mentalitet lokal” dhe njohja e rrethanave të Kosovës, duke shtuar se prania e një avokati shqiptar mund të kishte ndikuar në këtë aspekt.

