Demiri pyet për garanci për përfaqësimin e të rinjve nga BDI, Paçuku: Nuk kemi biseduar ende, merremi me çështje më madhore
Në emisionin “Debat në Shenja”, çështja e përfaqësimit të të rinjve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare u bë pjesë e debatit mes përfaqësuesit të LSDM-së, Agron Demiri, dhe anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, Ylli Paçuku.
Paçuku tha se Kuvendit i mungon një frymë më e madhe rinore dhe vlerësoi se reformat e fundit të ndërmarra në BDI duhet të reflektohen edhe në listat e kandidatëve për deputetë.
Megjithatë, Demiri ngriti pikëpyetje nëse të rinjtë brenda BDI-së kanë garanci konkrete se do të përfaqësohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, apo nëse premtimet për hapësirë më të madhe për rininë mbeten vetëm deklarata politike.
Në përgjigjen e tij, Paçuku pranoi se nuk ka pasur bisedime konkrete mes strukturave rinore dhe partisë për përfshirjen e të rinjve në listat zgjedhore. Ai tha se BDI-ja aktualisht është e fokusuar në çështje të tjera politike, si procesi i eurointegrimeve dhe, sipas tij, sfidat që lidhen me Marrëveshjen e Ohrit.
“Pa dyshim, në zgjedhjet e ardhshme nuk kemi bisedime si rini me partinë, por besoj shumë thellë se reforma e fundit do të reflektojë edhe këtu”, deklaroi Paçuku.

