“Dëgjuam një përplasje dhe u gjetëm përmbys” – Pasagjerët rrëfejnë tmerrin në avion

“Dëgjuam një përplasje dhe u gjetëm përmbys” – Pasagjerët rrëfejnë tmerrin në avion

Një avion i kompanisë Delta, me 80 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos të hënën pasdite, mes erërave të forta dhe reshjeve të dëborës. Menjëherë pas përplasjes, ekipet e zjarrfikësve u vunë në lëvizje për të shuar flakët që shpërthyen rreth avionit të rrëzuar.
Pavarësisht skenës dramatike, të gjithë personat në bord mbijetuan. Megjithatë, mbetet e paqartë sesi avioni përfundoi përmbys në pistë, me pjesën e poshtme të mbuluar me blozë dhe njërin nga krahët e dëmtuar rëndë. Brenda kabinës, pasagjerët e lidhur me rripat e sigurisë mbetën të varur nga ndenjëset e tyre.
Sipas njoftimit të kompanisë Delta, nuk ka viktima nga aksidenti. Shefi i Zjarrfikësve të Aeroportit të Torontos, Todd Aitken, konfirmoi se 18 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital, përfshirë një fëmijë, i cili ndodhet në gjendje të mirë. Ndërkohë, Shërbimi i Ambulancës në rajonin e Peel raportoi një numër më të ulët të të lënduarve, duke përmendur 15 persona.

Momente paniku dhe evakuim emergjent

Avioni, i identifikuar si fluturimi 4819 i Delta Airlines, ishte nisur nga Minneapolis dhe po afrohej në Toronto rreth orës 14:00 me orën lokale. Në atë moment, erërat e forta arrinin deri në 61 km/h, ndërsa pista ishte pastruar nga rreth 20 centimetra dëborë të rënë gjatë fundjavës.

Vetëm pak çaste para uljes, kontrollorët e trafikut ajror paralajmëruan pilotët për erërat e fuqishme, por brenda dy minutave avioni u përmbys. Një zjarr i madh shpërtheu teksa aeroplani u rrotullua dhe u përplas me pistën, duke krijuar një top flake. Disa pasagjerë përjetuan momente paniku ndërsa mbetën të varur me kokë poshtë nga ndenjëset e tyre.

“Ishte një kaos i vërtetë,” tregoi një nga pasagjerët, Peter Koukov. “Kur e kuptuam se çfarë kishte ndodhur, ishim të gjithë përmbys. Disa pasagjerë arritën të zhbllokonin rripat e sigurisë dhe të qëndronin në këmbë mbi tavanin e kabinës.”

Për fat të mirë, ekuipazhi arriti të organizonte evakuimin, duke ndihmuar pasagjerët të dilnin nga daljet e emergjencës. Pamjet filmike tregojnë njerëz që hidhen nga dera e avionit në tokën e mbuluar me dëborë, ndërsa zjarrfikësit vazhduan të hidhnin shkumë për të shuar flakët.

Hetimet dhe ndikimi në trafikun ajror

Ky aksident ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë ajrore, veçanërisht pasi është incidenti i katërt i madh ajror në Amerikën e Veriut brenda një muaji. Aeroporti Pearson, më i madhi në Kanada, u detyrua të pezullojë të gjitha fluturimet për disa orë, duke shkaktuar qindra anulime dhe vonesa.

Zyrtarët kanadezë dhe amerikanë tashmë kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e aksidentit. Endeavor Air, një kompani rajonale që operon për Delta, konfirmoi se po bashkëpunon me autoritetet për të zbardhur ngjarjen.

Ky ishte aksidenti më i rëndë në aeroportin e Torontos që nga viti 2005, kur një avion i Air France doli nga pista dhe u përfshi nga flakët, por fatmirësisht të gjithë pasagjerët mbijetuan.

MARKETING