Cristiano Ronaldo largohet nga Portugalia, mungon edhe në ndeshjen e parë të Kupës së Botës
Cristiano Ronaldo është larguar nga kampi i Portugalisë pas një nate të vështirë në Dublin, ku mori kartonin e tij të parë të kuq me fanellën e kombëtares në humbjen tronditëse 2-0 kundër Irlandës në kualifikueset e Kupës së Botës.
Fituesi pesë herë i Topit të Artë u ndëshkua pas një ore loje për goditje me bërryl ndaj Dara O’Shea. Pas një krosi të humbur, Ronaldo, në shenjë frustrimi, goditi mbrojtësin irlandez, i cili ra në tokë. Gjyqtari e ndryshoi kartonin e verdhë fillestar pas rishikimit të VAR-it në një karton të kuq të drejtpërdrejtë – i pari në karrierën ndërkombëtare të Ronaldos në paraqitjen e tij të 226-të.
Ronaldo reagoi me habi, duke përshëndetur me sarkazëm tifozët në stadiumin Aviva përpara se të largohej drejt tunelit. Ai gjithashtu dukej i irrituar ndaj stolit portugez, ku u qetësua nga ish-shoku i tij Ricardo Carvalho.
Kartoni i kuq i drejtpërdrejtë sjell zakonisht pezullim për dy ndeshje ndërkombëtare, dhe kështu Ronaldo do të humbasë ndeshjen e parë të Kupës së Botës, nëse Portugalia arrin të kualifikohet.
Ekipi i Roberto Martinez duhet të fitojë ndaj Armenisë të dielën për të konfirmuar vendin e tyre.
Në rast të një barazimi dhe një fitoreje të fortë të Hungarisë ndaj Irlandës, Portugalia do të përballet me një kualifikim të pasigurt përmes play-off-it.
Sipas gazetës portugeze A Bola, Ronaldo nuk do të qëndrojë për të mbështetur shokët e ekipit në ndeshjen vendimtare dhe është “liruar nga kampi kombëtar”. Ai pritet të kthehet në Arabinë Saudite, ku luan për Al-Nassr.
Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, ka dalë në mbrojtje të kapitenit të tij, duke theksuar se shpërthimi i Ronaldos nuk ishte i dhunshëm.
“Sigurisht që folëm. Mendoj se është e vështirë për një lojtar si Cristiano, që është në zonën e penalltisë dhe ka dy mbrojtës në kontakt të vazhdueshëm. Nuk ka dhunë. Ai përpiqet të shtyjë mbrojtësin larg dhe ishte i pafat që VAR-i e bëri situatën më të keqe se sa ishte. Kartoni i parë i kuq për Ronaldon në kombëtare është i pabesueshëm”, dekaroi Martinez.
Për Irlandën, fitorja 2-0 ndaj Portugalisë është një hap i madh drejt kualifikimit për Kupën e Botës, e para që nga viti 2002. Ata tani janë vetëm një pikë prapa Hungarisë para ndeshjes vendimtare mes tyre të dielën.

