Costa në Shkup: Ndryshimet kushtetuese mbeten çelësi për negociatat me BE-në

Costa në Shkup: Ndryshimet kushtetuese mbeten çelësi për negociatat me BE-në

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Shkup, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një objektiv i përbashkët dhe se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është brenda BE-së.

Costa u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilin diskutoi për procesin e integrimit evropian të vendit. Pas takimit, të dy mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Mickoski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe kërkon një proces të drejtë, të bazuar në reforma dhe parime. Ai tha se vendi nuk kërkon trajtim të veçantë, por vlerësim të drejtë të përparimit të arritur.

Sipas tij, identiteti kombëtar, dinjiteti dhe parimet nuk duhet të jenë pengesë për integrimin evropian. Mickoski nënvizoi gjithashtu se po vazhdojnë reformat në administratë, ekonomi dhe institucione, por se qytetarët ndihen të pasigurt pas viteve të gjata pritjeje në procesin e anëtarësimit.

Nga ana tjetër, Costa vlerësoi progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe administratës publike, duke theksuar se këto reforma janë të rëndësishme për avancimin e negociatave me BE-në.

Ai përsëriti se ndryshimet kushtetuese të dakorduara janë kushti kryesor për hapjen formale të negociatave të anëtarësimit. Sipas tij, ky është hapi i nevojshëm për të zhbllokuar përfitimet e plota që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Costa shtoi se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut politikisht dhe financiarisht, ndërsa theksoi se përparimi i mëtejshëm varet nga reformat, dialogu me fqinjët dhe vendimet që do të marrë vetë vendi.

Ai gjithashtu deklaroi se Bashkimi Evropian dëshiron që negociatat me Maqedoninë e Veriut të hapen zyrtarisht sa më shpejt të jetë e mundur.

MARKETING