Bytyqi jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të LSDM-së

Bytyqi jep dorëheqje nga posti i nënkryetarit të LSDM-së

Zv/kryeministri Fatmir Bytyqi, pas rezultatit të zgjedhjeve ka reaguar duke dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetari të LSDM-së.
“Si nënkryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, i përkushtuar për vlerat etike dhe demokratike, kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të partisë. Dorëheqja ime do të jetë plotësisht efektive kur të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe pjesa tjetër e shokëve të mi që përbëjnë kryesinë e partisë – nga i pari deri tek i fundit”, është shprehur Bytyqi.
Ai ka thënë se gjatë gjithë karrierës politike, ka kërkuar përgjegjësi personale nga të gjithë faktorët – dhe ky akt është pikërisht ai.
“Dhe dorëheqja e udhëheqësisë është një hap i domosdoshëm drejt rikthimit të besimit të qytetarëve dhe hapjes së rrugës drejt suksesit të ardhshëm politik.
Dorëheqja nuk paraqet akt politik të humbjes së idesë socialdemokrate, por mesazh dhe sfidë për përmirësimin dhe rishqyrtimin e LSDM-së. Në fund: le të jetë ky një fillim i ri që do të bashkojë të gjithë shokët e sinqertë në idenë e socialdemokracisë, në idenë e bashkëjetesës, në idenë e një shoqërie për të gjithë ku mbretëron drejtësia, solidariteti dhe barazia.
Për një LSDM të fortë dhe unike”, ka shkruar Bytyqi.

MARKETING