Bujar Osmani: Dy çerdhe të reja moderne në Çair, me kapacitet të madh që të gjithë fëmijët të ndjekin arsimin parashkollor

Bujar Osmani: Dy çerdhe të reja moderne në Çair, me kapacitet të madh që të gjithë fëmijët të ndjekin arsimin parashkollor

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media prezantoi dy projekte të mëdha për ndërtimin e çerdheve të reja moderne me standarde të larta dhe kapacitete multifunksionale, të cilat do të mundësojnë kushte më të mira për fëmijët dhe familjet në komunë.
“Çairi ka mungesë çerdhesh, kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe kushtet nuk i plotësojnë as nevojat themelore të fëmijëve në periudhën më kritike të zhvillimit të tyre. Kemi çerdhe ku tre fëmijë ndajnë një shtrat, ku kushtet në kuzhina dhe tualete janë mizerabël, ndërsa prindërit detyrohen vetë të blejnë materiale për fëmijët e tyre. Kjo duhet të ndryshojë”, deklaroi Osmani.

Ai njoftoi për ndërtimin e dy çerdheve të reja të mëdha me standarde bashkëkohore, të projektuara nga arkitekti botërisht i njohur Mishel Rojkind.

Çerdhja “Borëbardha” është një projekt multifunksional që shtrihet në një sipërfaqe prej 40.000 m² në rrugën “Xhon Kenedi”.

“Në një hapësirë do të kemi tre funksione: parking, çerdhe dhe shkollë me terren loje. Çairi është një komunë e vogël dhe çdo metër katror duhet të shfrytëzohet në mënyrë të mençur dhe në shërbim të qytetarëve”, theksoi Osmani. Ai sqaroi se parkimi nëntokësor me dy nivele do të ketë kapacitet prej 1.000 vende parkimi.

Çerdhja “Vesëza”, nga ana tjetër, është po ashtu projektuar si objekt bashkëkohor me tre nivele parkingu nëntokësor dhe me kapacitet të madh.

“Çerdhja ‘Vesëza’ do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 20.000 m² dhe do të përfshijë: çerdhe moderne me kushte të reja për qëndrim, ushqim dhe lojë, parking nëntokësor me tre nivele me mbi 520 vende parkimi, si dhe hapësirë loje mbi objektin, me qëllim të shfrytëzimit racional të çdo metri katror në Çair”, theksoi Osmani.

Me këto dy projekte do ta zgjidhim problemin kronik me kapacitetet e çerdheve në Çair dhe do të krijojmë hapësira bashkëkohore dhe të sigurta për fëmijët tanë, shtoi Osmani.

Ai kujtoi se tashmë ka përvojë personale në realizimin e projekteve të tilla, pasi pikërisht ai e ka siguruar ndërtimin dhe financimin e çerdhes më të madhe në Çair, “Bambi”, si ministër dhe anëtar i Qeverisë.

“Unë e kam filluar këtë proces vite më parë dhe tani po e vazhdoj me vizionin që çdo fëmijë në Çair të ketë vendin e vet në çerdhe”, përfundoi Osmani.

MARKETING